Çmimet e naftës n'hava, konfirmohet mashtrimi i qytetarëve

Naftëtarët kanë përfituar në kurriz të qytetarëve në fund të vitit të kaluar. Ato i kanë rritur fitimet deri në 135%, apo njëmbëdhjetë herë më shumë se sa në muajt paraprakë.

Kështu ka gjetur Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës gjatë hetimit të 14 kompanive që merren me shitjen e naftës.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës konstaton se në bazë të fakteve të gjetura gjatë procedurës hetimore, ndërmarrjet që operojnë me shitjen me pakicë të naftës nuk kanë reflektuar në mënyrë individuale për çmimin e shitjes dhe fitimit bruto për muajt NËNTOR DHE DHJETOR TË VITIT 2018”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni të konkurrencës.

Fitimit nga shitja e naftës kishte shkuar deri në 124%.

“Kompanitë që janë në procedurë hetimore, dyshohet se kanë pasur fitim prej rreth 9 % gjatë muajve janar-tetor 2018, kurse fitimi në muajin nëntor ka qenë në mesatare prej 60%. Në dhjetor, fitimi mesatarisht ka qenë 124%”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, të njëjtat dyshime ekzistojnë edhe sa i përket shitjes me pakicë të benzinës.

“Më konkretisht, derisa fitimi për periudhën janar-tetor 2018 ka qenë 12%, në nëntor ka qene 108% kurse në dhjetor 135%”, nënvizon ky institucion.

Këto të dhëna nuk janë përfundimtare pasi Autoriteti i Konkurrencës do të pres paraqitjen e komenteve nga të gjithë operatorët brenda një muaji.

Në fund të vitit të kaluar, KALLXO.com raportoi për dyshimet për falsifikim të çmimit të naftës.

Çmimet e naftës në bursën ndërkombëtare kishin rënë për 40 për qind nga fillimi i muajit tetor 2018, por kjo nuk është reflektuar në tregun e Kosovës.

Ulja e ngadalshme e çmimit të naftës e ka alarmuar Autoritetin e Konkurrencës, që po dyshon për marrëveshje në mes të naftëtarëve për mbajtjen e çmimeve në nivel të lartë.

Kjo nuk është hera e parë që naftëtarët reagojnë shumë ngadalë në uljen e çmimeve në mënyrë lineare me uljen e çmimeve në bursën ndërkombëtare. Edhe në të kaluarën kemi pasur raportime të njëjta.