Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez

Çmimet e energjisë rrisin në nivel rekord inflacionin në Spanjë

Inflacioni në Spanjë ka arritur në nivelin më të lartë në pothuajse 37 vjetët e fundit. Rritja e inflacionit është rritur për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë pas pushtimit rus të Ukrainës.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Qeveria spanjolle më 30 mars, inflacioni u rrit në 9.8 për qind në mars nga 7.6 sa ishte në shkurt. Ky është niveli më i lartë i inflacionit që prej majit të vitit 1985.

“Kjo është një shifër e keqe që prek ekonominë tonë, veçmas grupet më të ndejshme… për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë”, tha kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez.

Sikurse edhe pjesa tjetër e Evropës, Spanja që nga fundi i vitit të kaluar po përballet me çmime të larta të energjisë, teksa banorët dhe bizneset po kanë vështirësi të paguajnë çmimet e rrymës.

Që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt, çmimet e naftës janë rritur dhe sektorët e transportit dhe bujqësisë së Spanjës kanë mbajtur protesta duke kërkuar ndihmë nga shteti për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve.

Sipas statistikave të prezantuara për muajin mars janë shkaktuar nga rritja e çmimeve të karburanteve dhe energjisë elektrike, që kanë rritur edhe çmimet e produkteve ushqimore, për shkak të luftës në Ukrainë.

Qeveria e Sanchezit miratoi të martën një plan për t’iu ofruar 16 miliardë dollarë ndihmë direkte, në formë të borxheve për kompanitë dhe amvisëritë që janë prekur nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Masat përfshijnë një zbritje të çmimit për 20 centë për një litër karburant, teksa Qeveria do të paguajë 15 centë dhe pjesa tjetër do të mbulohet nga shitësit e karburanteve./REL