Çmimet e derivateve, nafta më shtrenjtë, benzina më lirë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë respektivisht Departamenti për Rregullimin e Tregut të Naftës, të shtunën ka publikuar çmimet e produkteve të naftës.

Sipas të dhënëve, nafta është shtrenjtuar për një cent ndërsa benzina është liruar për një cent.

“Çmimi maksimal i lejuar i produktit Dizel është: 1.75  €  për litër. Çmimi maksimal i lejuar i produktit Benzinë është: 1.66  € për litër”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, çmimi maksimal i lejuar i produktit Gas është: 0.78  €  për litër.

Çmimet e lartëcekura vlejnë për datën 16/07/2022 prej orës 10:00 dhe janë valide 24 orë nga data dhe ora e publikimit.

Nëpërmjet udhëzimit administrativ, Qeveria e Kosovës ka përcaktuar se marzha tregtare e lejuar (fitimi) për naftëtarët në Kosovë është 2 centë për litër për shitësit me shumicë dhe 12 centë për litër për ata me pakicë.

Udhëzimi i cili mbetet në fuqi për 30 ditë, rendit edhe masat tjera mbrojtëse si detyrimet për ministrinë  përgjegjëse që merret me tregun e naftës, subjektet, shitësit dhe institucionet tjera të cilat janë përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij vendimi.