Çmime luksi për produkte bazë, 2019-ta me inflacion 2.7%
Çmimet e konsumit edhe njëherë ‘treguan dhëmbët’ para festave të fundvitit, Ato u treguan të pamëshirshme për xhepin e konsumatorëve kosovarë. Në muajin që duhet të blejnë më shumë, muajin dhjetor, ata mund të blejnë më pak apo më shtrenjtë. Produktet bazë si buka e drithërat u blenë më shtrenjtë. Gjithashtu viti 2019 u përmbyll me inflacion 2.7%
Agjencia e Statistikave të Kosovës tregon se inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0,2 për qind në muajin dhjetor 2019. Shkalla vjetore e inflacionit e matur në muajin dhjetor 2019 me muajin dhjetor 2018 ishte 1,2 për qind. Ndërsa, shkalla mesatare vjetore e inflacionit në vitin 2019 ishte 2,7 për qind.
Drejt festave të fundviit çmimet e konsumit shënuan rritje me kontribuesit më të mëdhenj – perimet.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0,2% në muajin dhjetor 2019 krahasuar me muajin nëntor 2019. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: mishi (0,6%), perimet (5,7%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,2 për qind në IHÇK-it.”, thuhet në njoftim.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 1,2% në muajin dhjetor 2019 krahasuar me muajin dhjetor 2018.
ASK njofton se kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: buka dhe drithërat 4,7 për qind, mishi 2,8 për qind, pemët 6,0 për qind, sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat 2,0 për qind, produkte të ndryshme ushqimore, kripëra, erëza etj. 2,5 për qind, kafja, çaji dhe kakao 10,4 për qind, ujë, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet 1,4 për qind, duhani 2,6 për qind, pajisje shtëpiake 2,0 për qind, qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës 3,0 për qind, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 1,9 për qind, produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje 1,4 për qind, blerja e automjeteve 3,9 për qind, shërbimet telefonike dhe të telefaksit 0,7 për qind, shërbimet hoteliere 0,9 për qind, shërbimet e akomodimit 6,0 për qind, gjërat personale 3,0 për qind, sigurimet 19,3 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,8 për qind në IHÇK-it.
Perimet, rryma, lëndët djegëse dhe shërbimet e transportit bëhen bashkë për t’i neutralizuar ngritjen e çmimeve te nëngrupet tjera.
“Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: perimet (-9,3%), energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-1,9%)-(rënie e çmimeve të druve për ngrohje), përdorimi i pajisjeve për transportin personal (-1,8%)-(rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës), shërbimet për transport (-5,9%)-(rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,6 për qind në IHÇK-it.”, bën të ditur ASK.
Me inflacion kuptohet rritja e vazhdueshme e çmimeve të përgjithshme, ku blihen më pak mallra dhe shërbime me të njëjtën sasi të mjeteve para zhvlerësimit.
Pra, nëse një kilogram patate kushton 30 centë në muajin X, në muajin pasardhës Y, ato kushtojnë 35 centë. Kjo do të thotë se me 30 centë, tashmë blihet më pak se një kilogram patate.
Praktikisht, rritja e çmimeve quhet inflacion.
Shkalla mesatare vjetore e inflacionit në vitin 2019 ishte 2,7 %
Nga njoftimi i ASK-së bëhet e ditur se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend në vitin 2019 ishte më i lartë në një mesatare prej 2,7 për qind krahasuar me vitin 2018.
Ngritje e indeksit të çmimeve të konsumit gjatë vitit 2019 është vërejtur te nëngrupet e COICOP-it: buka dhe drithërat 11,1 për qind, mishi 3,8 për qind, qumështi, djathi dhe vezët 2,8 për qind, perimet 11,1 për qind, sheqeri dhe ëmbëlsirat 1,6 për qind, kafja, çaji dhe kakao 6,2 për qind, pijet alkoolike 1,9 për qind, duhani 3,2 për qind, mirëmbajtja dhe rregullimi i vendbanimit 2,3 për qind, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 2,8 për qind, blerja e automjeteve 1,4 për qind, përdorimi i pajisjeve për transportin personal 1,5 për qind, pushime të organizuara 3,2 për qind, shërbimet hoteliere 0,9 për qind, shërbimet e akomodimit 5,7 për qind, sigurimet 3,3 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,9 për qind në IHÇK-it.
Çmimet e pemëve dhje të shërbimeve të transportit neutralizuan ngritjen e çmimeve të nënproduktet tjera
“Rënie e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit gjatë vitit 2019 është vërejtur te nëngrupet e COICOP-it: pemët (-4,6%), shërbimet për transport (-3,7%)-(rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror), me një ndikim të përbashkët prej 0,2 për qind në IHÇK-it.”, bën të ditur ASK.
Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin e “Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin dhjetor 2019 dhe vitin 2019.