Çmenduria kolektive, piknik në kohë pandemie

Qytetarë të shumtë janë parë te Liqeni i Badovcit edhe përkundër që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe institucionet e tjera kanë rekomanduar që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos mblidhen.

Sipas fotografive të dërguara në adresë të KALLXO.com, të realizuara sot, shihet një numër i madh qytetarësh që kanë dalë për piknik.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që sa i përket qarkullimit të qytetarëve në rrugë, “lëvizjet të bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët”.

“Ndalohen tubimet në të gjitha mjediset – private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura – përveç kur është e domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalim dhe luftim të pandemisë, si dhe ku lejohet distanca dy metra me të tjerët. Në rast të vdekjeve, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit”, njofton vendimi, i cili në fund obligon institucionet e Qeverisë të ndërmarrin masat e nevojshme për zbatimin e tij.