
FOTO: Presidenca e Kosovës
Clark: Jam krenar për hapat e Kosovës në demokratizim dhe zhvillim ekonomik
Ish-gjenerali amerikan Wesley Clark ka thënë se i mirëpret aspiratat e Kosovës për NATO dhe BE.
Në adresimin e tij në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Clark tha se është krenar me progresin që ka bërë Kosova.
“E mirëpres edhe mundësinë që të bëheni pjesë e BE-së dhe NATO e ndoshta më së shpejti e Këshillit të Evropës. Jam shumë mirënjohës për miqësinë e Kosovës dhe personalisht sa herë vij në Kosovë jam shumë krenar për hapat që i keni bërë në demokratizim dhe zhvillim ekonomik. Jam shumë krenar për krejt çfarë po bëni për njëri-tjetrin për demokracinë në Evropë”, ka thënë Clark.
Në Prishtinë sot dhe nesër do të mbahet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili organizohet nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mbështetur nga EULEX-it.
Në kuadër do të zhvillohen 16 panele, në të cilat do të diskutohet çështje të ndryshme që lidhen me ndryshimin e arkitekturës së sigurisë, përfaqësimin e grave, të rinjtë dhe përballje e tyre me të kaluarën, rolin e parlamenteve, drejtësinë tranzicionale, rolin e medias dhe të shoqërisë civile, dhunën ndaj grave, ndryshimet klimatike dhe fuqizimi ekonomik i grave, gratë në sektorin e sigurisë dhe atë të teknologjisë informative etj.