Baneri i shfaqjes ‘Clara me mustaqe’. Foto: QKK

 'Clara me mustaqe' shfaqet në festivalin e filmit në Santa Barbara të SHBA-ve

Animacioni i shkurtër “Clara me mustaqe” (Clara with a mustache) me regji dhe skenar nga Ilir Blakçori do të shfaqet në premierën botërore në festivalin e njohur amerikan të filmit, “Santa Barbara International Film Festival”.

Qendra Kinematografike e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se “Clara me mustaqe” është përzgjedhur të shfaqet edhe në edicionin e 45-të “Cleveland International Film Festival”.

Të dy festivalet, filmave fitues u japin mundësinë të kualifikohen për pjesëmarrje në akademinë e çmimeve “Oscars”.

Përmes një kartëmonedhe të markës gjermane, filmi shtjellon motivin që i shtyn njerëzit në konflikte të ndryshme.

“Frymëzimi për këtë film të animuar me metrazh të shkurtër, erdhi nga vet përvoja e luftës së fundit në Kosovë. Luftërat në përgjithësi bëhen për pushtet dhe autoritet dhe gjithmonë motivuesi kryesor prapa këtyre të dyve është paraja. Që nga viti 1990 deri në vitin 2002, Kosova ka pasur një lidhje të veçantë me markën gjermane, për këtë arsye atë e shohim si një dëshmitare të përvojave të tmerrshme që njerëzit e Kosovës kaluan gjatë gjithë atyre viteve, veçanërisht atyre të 1998-1999”, është deklarata e autorëve të filmit”, thuhet në njoftim.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.