Ç’kuptim do të kishte ‘fitorja’ në Ukrainë?

U zgjova në orët e hershme të mëngjesit javën e kaluar dhe fillova të shqetësohem për luftën në Ukrainë. Një mik më herët më kishte qortuar për mënyrën se si e kisha paraqitur një argument me fjalët “Sapo e fituam luftën në Ukrainë” – sikur kjo të ishte një çështje e thjeshtë dhe vetëm një pyetje “kur”.

Por çfarë do të thotë ‘fitore’?

A e ndriçon realisht peizazhin përpara, prozhektori i inteligjencës sonë, i mbështetur nga ajo që tashmë dimë?

A mund të ndodhin gjëra që thjesht nuk i kemi menduar?

Edhe njerëzit aq të vjetër sa unë i kujtojnë luftërat që, megjithëse të përgjakshme dhe të tejzgjatura, ishin mjaft të drejtpërdrejta si narrativa, me objektiva të qarta dhe përfundimtare dhe, në terma historish, një fund mjaft të qartë. Lufta e Dytë Botërore është një shembull i jashtëzakonshëm; Falklands është një rast më i vogël, por po aq i qartë. Ne e dinim se çfarë do të thotë të fitosh. Hitleri dhe Galtieri e dinin se çfarë do të thoshte humbja. Edhe pas luftës së Koresë, pati një ndarje të thjeshtë dhe të përhershme. Këto ishin përfundimet e duhura, të ndjekura nga një gjendje e qëndrueshme.

Ne imagjinojmë, mendoj, se edhe kjo luftë aktuale në Ukrainë do të përfundojë si njëri prej tyre. Thënë troç, në fillim mendova se rusët thjesht duhet të asgjësohen, Putini të poshtërohet në kolaps personal dhe i gjithë territori që Moska i kishte vjedhur t’i kthehej Kievit. Pas kësaj, mendova se Evropa do të ishte përsëri në paqe: e stabilizuar, e renditur dhe e gatshme për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës.

Por a do të ndodhë diçka e tillë?

Më lejoni të hedh ca dyshime të miat në përzierjen e mendimeve tuaja.

Të gjithë po spekulojnë për udhëheqjen e Putinit – a do të rrëzohet nga pushteti?

A është presidenca e tij mjaft e fortë për ta mbijetuar një marrëveshje paqeje me Ukrainën dhe Perëndimin? A mund të zëvendësohet nga një militarist akoma më i egër?

Pyetje të mira, por ka një tjetër që nuk duket se po e trajtojmë: a është i sigurt Volodymyr Zelensky?

Pa dyshim, koha ime e kaluar duke udhëtuar në Ukrainë ishte e shkurtër dhe e bërë rreth 15 vjet më parë, por më la me plot paragjykime jo të mira të atij vendi nga sa dëgjohet në këto ditë valvitëse me flamuj blu-verdhë.

Ukraina është shumë e populluar, shumë e varfër dhe shumë larg modelit të një shteti perëndimor modern, liberal, demokratik, për të cilin ne mund të supozojmë me dembelizëm se njerëzit e saj mund ta anashkalojnë me gëzim “pasi të fitohet lufta”. Përpara Zelenskit, ne e pamë kulturën politike dhe të biznesit të Ukrainës si të zhytur në mënyrë të pashpresë në korrupsion, nga lart poshtë. Infrastruktura dhe prodhimi (madje edhe para bombardimeve ruse) ishin të ndryshkura dhe të vjetruara, duke e bërë Ukrainën një shportë industriale të varur plotësisht nga statusi i tij më i favorizuar me Bashkimin Sovjetik të vjetër. Shikoni pamjet e industrisë së çelikut ukrainas në rajonin e Donetskut dhe kujtoni veten se çfarë kokëdhimbje masive gjeti Gjermania Perëndimore për ta tërhequr Gjermaninë Lindore në ekonominë moderne evropiane: flisni për “nivelimin lart”!

Gjermania e pasur ende po lufton me koston, kulturore dhe ekonomike. Një ditë mund ta pyesim veten pse iu ngazllyem luftës ukrainase për ta mbajtur atë rrip lindor të ndryshkut rusishtfolës.

Është e vështirë të shihet se si Ukraina mund të mbijetojë në erërat e konkurrencës së tregut të lirë pa një masë të mundimshme të ndihmës nga Perëndimi. Me një popullsi që e tejkalon shifrën prej 43 milionë banorëve (më e madhe se ajo e Polonisë dhe jo shumë larg Spanjës), një mal i madh mbështetjeje gjatë shumë viteve do të jetë esencial nëse duam ta forcojmë demokracinë atje pasi mbështetja ruse të tërhiqet.

Votuesit perëndimorë mund të kënaqen duke i parë flakërimat dhe sulmet e përpjekjeve të guximshme të Ukrainës në vetëmbrojtje; ne mund të brohorasim ndërkohë që armët e dhuruara nga britanikët arrijnë atje. Por sapo mjetet piroteknike ndalen dhe taksat tona rriten për të paguar për rindërtimin – dhe nëse ka edhe më shumë thashetheme rreth zonjës Zelensky duke bërë shoping në Paris, ndërkohë që ka edhe thashetheme tjera se ku po shkojnë paratë perëndimore pasi arrijnë në Kiev përmenden në media – fryma e bujaria e padiskutueshme mund të zbehen në të gjithë kontinentin evropian.

Pranimi i shpejtë i Ukrainës si një prej vendeve anëtare të BE-së është padyshim jo relevante për t’u përmendur. Lëvizja e lirë, me miliona që kërkojnë mundësi më të mira, do të provokonte një kokëdhimbje të madhe. Një gjë që ne dhe tregu i vetëm i BE-së mund të bëjmë për ta ndihmuar, megjithatë, do të ishte shtrirja e një marrëveshjeje bujare të tregtisë së lirë në ekonominë e tyre në zhvillim. SHBA bëri diçka të ngjashme për Meksikën, por shkaktoi indinjatë të madhe pasi industria amerikane e motorëve filloi të emigronte. Duhet qenë të sigurt për diçka të ngjashme këtu pasi kompanitë e kalojnë prodhimin e tyre në Ukrainën me paga të ulëta.

Dhe a është Ukraina tani – apo së shpejti mund të bëhet – një demokraci e duhur, që gëzon sundimin e ligjit, një gjyqësor të pavarur, një kulturë profesionale të shërbimit civil dhe vigjilencë ndaj korrupsionit politik?

A ka ndryshuar gjithçka në lidhje me të vetëm sepse një njeri, Zelensky, është në udhëheqje të saj? Duhet të jesh një besimtar i konsiderueshëm i shkollës ‘Hero në Histori’ për të besuar se një individ i vetëm mund të bëjë kaq shumë. Heronjtë mbijetojnë për pak kohë.  Edhe pse unë besoj se ky president ukrainas ishte heroik, paraardhësit e tij nuk ishin, dhe kultura politike dhe e biznesit nuk ishte. Kishte një mungesë të madhe të burrave dhe grave të mira, të ndershme në udhëheqje. Nëse Ukraina ishte një shtet i kalbur, atëherë në shumë mënyra do të jetë ende, pavarësisht vuajtjeve dhe sakrificave të qytetarëve të saj të zakonshëm. Lufta e gjithanshme i  shtyp dyshimet për politikën për ruajtjen e të cilit po luftohet. Unë nuk besoj në ndonjë lloj metamorfoze.

Do të doja t’ua tregoj një përrallë të vëllëzërve Grimm jo më pak të pabesueshme se versioni i sotëm i Walt Disney. Imagjinoni. Është dimri i 2023/24. Putini ose pasardhësi i tij dakordohen për arritjen e një marrëveshjeje. Qarkullojnë pëshpëritje për një kompromis që i jep Krimenë Moskës, apo disa të tilla. Kievi thërret “Kurrë!”. Biden, Scholz, Macron dhe ndoshta (më heshtje) Sunak/Starmer privatisht i bëjnë thirrje Zelenskit që të mos e bëjë Krimenë një shkak të prishjes së marrëveshjes. Ai heziton sepse një parti e re ‘Patriotët ukrainas’ po shfaqet në të djathtën e tij militariste. ‘Nuk dorezohem!’

I bllokuar, Zelensky u lutet fuqive perëndimore për përkrahje. Ne duam ta shpëtojmë atë, por pas gati dy vjetësh lufte, ne kemi nevojë që këto armiqësi shkatërruese të përfundojnë dhe të besojmë se edhe populli i Ukrainës po ashtu dëshiron një gjë të tillë. Ukrainasit e zakonshëm, të mërdhirë dhe të uritur, janë të dëshpëruar për ndihmë urgjente perëndimore në një shkallë gjithnjë e më të kushtueshme, ndërsa Kievi – ku politika e brendshme po fillon të thyhet – kërkon më shumë tanke dhe raketa për ta rimarrë Krimenë. Durimi perëndimor veçse zbehet.

Dhe ne shikojmë prapa në këtë dimër me, po, pothuajse nostalgji. Një kohë kur gjithçka dukej kaq e thjeshtë. ‘Fitorja’, duket se, ishte jo edhe aq e vështirë./The Spectator

Përgatiti: Nuhi Shala