Çka u sekuestrua në aksionin e sotëm të Policisë? (FOTO)

Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion në dy rajone të ndryshme, në Pejë dhe në Mitrovicë të Jugut, si rezultat i së cilit janë shoqëruar në stacion policor 11 persona të dyshuar.

Nga ky aksion i Policisë, që është zhvilluar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, janë sekuestruar 7 armë, dy Ak47 dhe pesë revole, rreth 70 fishekë kalibër të ndryshëm, 92 bimë kanabis, saktë marihuanë me lartësi 1- 1.5 m, mbi 25 gramë kokainë, 5 mijë e 500 euro para të gatshme, 6 telefona si dhe dokumente relevante për rastin.

Policia ka thënë se aksioni është zhvilluar në vazhdën e përpjekjeve për parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit.

“Me datën 7 shtator 2022, Policia e Kosovës, përkatësisht Divizioni Kundër Krimit të Organizuar, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, kanë zhvilluar hetime intensive, me qëllim të zbardhjes së veprimtarive kriminale të disa personave të dyshuar që kryenin veprat e lartcekura” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje është thënë se gjatë kontrolleve të shtëpive dhe objekteve përcjellëse, prona të të dyshuarve të përfshirë në raste është gjetur një plantacion i bimëve narkotike në fushë të hapur, pyll.

Policia ka njoftuar se pas procedurave të intervistimit me urdhër të prokurorit kompetent 6 prej të dyshuarve janë dërguar në mbajtje.