Çka u diskutua në mbledhjen Këshillit Prokurorial?

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 251-të në të cilën ishin paraparë që të shqyrtohen 12 pika të rendit të ditës.

Pika tre e rendit të ditës ishte formimi i panelit hetimor për dy prokurorë nga Prokuroria e Prizrenit për t`u hetuar lidhur me pretendimet për shkelje disiplinore.

Pjesë e këtij paneli u zgjodhën tre prokurorë të prokurorive të tjera. Arben Ismajli prokuror në Prokurorinë e Apelit, njëkohësisht do të jetë në krye të këtij paneli Hetues, anëtare do të jetë, Habibe Salihu e cila vjen nga radhët e Prokurorisë Speciale dhe anëtari tjetër Ersan Qavolli, i cili është prokuror në Pejë.

Meqenëse pjesë e këtij hetimi do të jenë dy prokurorë nga po e njëjta prokurori, Kryesuesi propozoi që lënda të trajtohet e përbashkët. Pra është bërë bashkim i  procedurës që çështja të hetohet nga një panel hetimor.

Si anëtarë rezervë të këtij paneli janë zgjedhur, Agim Kuka, prokuror në Prokurorinë e Ferizajt dhe Ikramije Bojaxhiu nga Prokuroria e Apelit.

Pikë tjetër e rendit të ditës ka qenë kërkesa e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Prizrenit, Admir Shala, i cili përmes kërkesës ka shprehur opinionin e tij se pas përfundimit të mandatit si Kryeprokuror në Prizren, dëshiron të kthehet si prokuror special në Prokurorinë Speciale.

Kjo kërkesë është shoqëruar me debat nga anëtarët e Këshillit Prokurorial. Disa prej tyre janë deklaruar se kërkesa e tij është paraqitur para kohe pasi mandati i tij përfundon më 31 dhjetor të vitit 2024, rreth gjashtë muaj më herët kurse disa anëtarë të tjerë kanë deklaruar se kërkesa e Shalës është legjitime dhe duhet të trajtohet.

“Është kërkesë e parakohshme, 6 muaj para përfundimit të mandatit, me bo kërkesë me u akomodu, kjo me të vërtetë nuk do koment, koha adekuate është me u trajtu pasi të zgjedhet Kryeprokurori i Prizrenit”- tha anëtari i këshillit Prokurorial, Veton Shabani.

Kurse anëtari tjetër i Këshillit Prokurorial, Dardan Vuniqi kërkesën e Kryeprokurorit të tanishëm të Prizrenit nuk e konsideroi si të parakohshme. Vuniqi i cili është anëtar në KPK, i cili vjen nga radhët e profesorëve universitar të drejtësisë, tha se një praktikë e tillë ndodhë edhe në institucionin e tij.

“Nga vendi ku vij unë, të gjitha avancimet të gjitha kthimet  pas mandatit i fillojmë me rregullore të brendshme gjashtë muaj më herët”- tha Vuniqi.

Vuniqi tha se duhet të aprovohet kërkesa e kryeprokurorit meqë e njëjta çështje të mos trajtohet dy herë radhazi.

Ndërsa zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial, Jehona Grantolli, tha se për këtë çështje duhet të mos ngutemi dhe të shtrojmë pyetjen se në momentin kur ka kandiduar për Kryeprokuror të Prizrenit “A ka dhënë dorëheqje nga pozita e prokurorit në PSRK?”.

Grantolli propozoi që çështja e votimit të kërkesës së Shalës duhet të shtyhet me qëllim që të mos merret më pas ndonjë vendim për ndryshim ose për anulim.

Kërkesën si të arsyeshme e konsideroi Milot Krasniqi, i cili mban rolin e anëtarit në KPK nga radhët e prokurorëve.

“Kërkesa është e arsyeshme edhe me vend, edhe ta vendosim sot”- tha Krasniqi.

Kjo kërkesë e Kryeprokurorit të Prizrenit pasi nuk ka pasur kuorum gjatë votimit nuk është miratuar.

Ndër pikat tjera që janë diskutuar ka qenë edhe raporti janar-dhjetor 2023 i planit strategjik të Këshillit Prokurorial të Kosovës i cili ishte ndërtuar në gjashtë shtylla për organizmin dhe veprimtarinë e Këshillit Prokurorial, të cilat kanë qenë: profesionalizimi dhe pavarësia, efikasiteti dhe efektiviteti në ndjekjen e krimit, profilizimi i prokurorëve dhe trajtimi i rasteve penale me prioritet, menaxhimi dhe administrimi në sistemin prokurorial, Integriteti dhe llogaridhënia dhe etika, transparenca në Sistemin Prokurorial.

Shtylla e parë profesionalizimi dhe pavarësia janë realizuar me 73.83%, shtylla e dytë efikasiteti dhe efektiviteti në ndjekjen e krimit është vlerësuar me 74.47%, kurse shtylla e tretë profilizimi i prokurorëve dhe trajtimi i rasteve penale me prioritet sipas këtij raporti është vlerësuar me 83.71%, shtylla e katërt menaxhimi dhe administrimi në sistemin prokuroria 53.06%, shtylla e pestë Integriteti dhe llogaridhënia dhe etika është vlerësuar me 61.54% dhe shtylla e fundit transparenca në Sistemin Prokurorial është vlerësuar me 78.95%.