
Foto: KALLXO.com
Çka thuhet në Dosjen e Prokurorisë për të arrestuarin i cili kërcënoi kryeministrin Albin Kurti?
Një muaj paraburgim i është caktuar nga Gjykata të dyshuarit për kanosje ndaj kryeministrit Albin Kurti.
M. R. – sipas Dosjes së Gjykatës së Mitrovicës që ka siguruar KALLXO.com – e kishte pranuar fajësinë.
M. R., i nacionalitetit serb, sipas Vendimit të Gjykatës kishte postuar fotografi në rrjetin social Instagram në faqen “Kani Zv”: njëra foto e të dëmtuarit, kryeministrit Albin Kurti me pikat e shënjestrës së armës, ndërsa fotografia e dytë me flamurin e shtetit të Serbisë me mbishkrim “Ja ku jemi, o bozhiq!” dhe logon e organizatës terroriste “Brigada e Veriut”.
Më 11.01.2025, Prokuroria kishte kërkuar masën e paraburgimit për M. R., por që avokatja e të dyshuarit e kishte kundërshtuar këtë kërkesë – duke kërkuar që t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak.
Sipas të dyshuarit, M. R., veprimet që i ka bërë kanë ardhur si pasojë e ndikimit të alkoolit.
I njëjti ka pranuar veprën penale dhe ka premtuar që nuk do të përsërisë veprime të tilla.
“Pajtohem dhe e pranoj veprën në tërësi dhe premtoj se nuk do ta përsërisë një vepër të tillë. Nuk kam asnjë mendim të keq për Kryeministrin e nuk kam asnjë interesim për organizatën “Brigada e veriut” dhe nuk është në interesin tim, pasi që kam jetën time. Këto veprime kanë qenë në gjendje të alkoolizuar. I propozoj Gjykatës që të më caktoj arrest shtëpiak për të cilin premtoj se do ta respektojë.” – kishte thënë në seancën dëgjimore i dyshuari për kanosjen e kryeministrit Kurti.
Avokatja të dyshuarit, Jelena Kriokapie ka kundërshtuar masën e Prokurorisë, duke kërkuar që t’i caktohet masë tjetër e jo paraburgimi, pasi sipas saj M. R. ka qenë nën ndikim të alkoolit.
“Me vetë faktin se i mbrojturi im e ka pranuar veprën, ajo nuk është dyshim i bazuar mirë. Nuk ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, sepse natën paraprake ka qenë në gjendje të alkoolizuar dhe nuk ka qenë i vetëdijshëm se çfarë është duke vepruar; dhe, vetëm kur ka hyrë në faqen e tij në Instagram, në mëngjes, e ka kuptuar se çfarë foto gjenden aty.” – ishin arsyet për kundërshtimin e paraburgimit nga avokatja, Jelena Kriokapie.
Sipas avokates së tij ato foto janë fshirë menjëherë nga i dyshuari, e ka mbyllur llogarinë e tij në Instagram dhe nga ndërgjegjja e ka thyer telefonin.
“E ka vrarë ndërgjegjja për atë që ka bërë dhe e ka thyer telefonin.” – kishte shtuar tutje avokatja.
Sipas avokates së tij, meqenëse i mbrojturi i saj e kishte pranuar fajësinë, ka menduar që Prokuroria do të procedojë menjëherë me Aktakuzë.
Rrjeti social në Instagram – sipas Dosjes së Gjykatës – quhet “Kani Zv”, ku janë postuar dy fotografi: njëra foto e të dëmtuarit me pikat e shënjestrës së armës, ndërsa fotografia e dytë me flamurin e shtetit të Serbisë me mbishkrim “Ja ku jemi, o bozhiq!” dhe logon e organizatës së shpallur terroriste, “Brigada e Veriut”.
Si rrethanë për caktimin e masës së paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se arma është gjetur në shtëpinë e të pandehurit. Por për këtë çështje është duke u zhvilluar një procedurë e ndarë, ndaj babait të të dyshuarit për kanosje ndaj kryeministrit Kurti.
Sipas Vendimit të Gjykatës, fakti se i pandehuri ka jetuar në një ambient të tillë ku ka pasur lehtësisht qasje në armë, paraqet ekzistim të rrezikut se i pandehuri mund të përsërisë veprën apo të përfundojë veprën që është kanosur të kryhet e – sipas Gjykatës – pasojat do të ishin jashtëzakonisht të mëdha, pasi që është kanosur jeta e të dëmtuarit.
Rrethanë tjetër – sipas Gjykatës Themelore në Mitrovicë – është se i pandehuri M. R. është person i njohur për Policinë sepse më 21.10.2024 është ndaluar nga zyrtarët policorë, duke shkruar grafite me përmbajtje nacionaliste në afërsi të Komunës së Zveçanit – për çka i është shqiptuar gjobë në shumë prej 300 eurosh.
Vendimi lidhur me këtë rast është marrë më 11.01.2025 nga gjyqtarja, Marigona Lajqi.
KALLXO.com, më 10.01.2025, raportoi se një qytetar serb ishte ndaluar për 48 orë, pasi i njëjti përmes rrjetit social “Instagram” ka kanosur kryeministrin Albin Kurti.
Siç raportoi KALLXO.com, i riu serb, i cili dyshohet nga Prokuroria, në profilin e tij në Instagram ka bërë një postim kërcënues ndaj Kurtit.
Një person me iniciale M. R. është arrestuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar për veprën penale “kanosje”.
Këtë e kishte konfirmuar për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë – Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.
“E konfirmojmë arrestimin e M.R. (i lindur më 2004) për rast ‘kanosje’. Arrestimi është kryer për interesa të Krimeve të Rënda në Prishtinë.” – kishte thënë Elshani.
Kërcënohet kryeministri Albin Kurti, arrestohet një qytetar serb në veri