Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Çka thotë Valdete Daka për dispozitën që ua mundëson gjyqtarëve ushtrimin e mandatit edhe 2 vjet pas moshës së pensionimit?

Me Projektligjin e ri për gjykatat i cili është hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe aktualisht është në fazën e konsultimeve, parashihet që gjyqtarëve që arrijnë moshën e pensionimit t’u mundësohet vazhdimi i mandatit edhe për dy vjet të tjera.

Kjo përcaktohet me anë të dispozitave kalimtare, të cilat pritet të aktivizohen dy vjet pasi ligji i ri për gjykatat të ketë hyrë në fuqi.

E kjo periudhë kohore për aktivizimin e kësaj dispozite kalimtare, sipas gjyqtares së Gjykatës Supreme, Valdete Daka po konsiderohet si tendencioze.

“Jo vetëm tendencioze por edhe diskriminuese, sepse mundësinë që munden me e shfrytëzu disa gjyqtarë, sepse kjo mendohet për gjyqtarë që i janë afruar kohës së pensionimit, dhe ja u jep mundësinë shteti që nëse dojn nëse kanë shëndet me edhe dy vjet e vazhdu me kontribu”- tha për KALLXO.com Daka.

Sipas Dakës është tendencioze përcaktimi prej dy vite i aktivizimit të kësaj dispozite, pasi siç thotë ajo, janë rreth gjashtë gjyqtarë të kësaj gjykate që presin pensionimin së shpejti, ndërsa dispozita kalimtare do të filloj të aplikohet vetëm kur të pensionohen ky grup i Supremes.

“Ajo dispozitë hynë në fuqi kur të shkojmë ne- tjetër s’ka. Po del si me e pasë përgatit për me hy në fuqi kur të shkojmë na. Ne jemi 6 gjyqtarë që presim me u pensionu. Unë jam e fundit, që i bie për koiçidencë shumë të çuditshme- pas dy vitesh dal në pension, pak ma pak se dy vite. E kjo i bie që me mua, kur përfundon ky grupi, këta tjerët munden me e shfrytëzu këtë. Për kënd pra po përgatitet kjo?”- u shpreh Daka.

Një dispozitë e tillë kalimtare, sipas saj, nuk përmban në vete asnjë arsyetim, “qoftë logjik, qoftë ligjor, madje as kushtetues”.

“Neve po na mohohet qajo e drejtë pa ndonjë arsye logjike, sepse çdo vonim i kësaj dispozite është i paarsyeshëm. Çdo dispozitë kalimtare e ka një arsye logjike dhe ligjore e kushtetuese. Në këtë rast nuk ka ndonjë arsye vetëm thotë: shtyhet për 2 vite, pse?”- tha Daka.

“Është edhe një çështje tjetër që kërkush s’po e përmend, sepse na dalim në pension, [por duhet kujtuar se] na padrejtësisht jemi largu nga puna nga regjimi i atëhershëm, dhe nuk e kemi këtë përvojën 15 vjeçare që kërkohet për pension. Është paradoksale që një gjyqtar i Gjykatës Supreme, nesër, konkretisht unë edhe kolegët e mi kemi me dalë në pension me 100 euro”- shtoi në fund Daka.

Gjyqtarja e Supremes thotë se do t’i japin komentet lidhur me projekligjin ndonëse dyshon se ato do të mirren parasysh, “siç nuk janë marrë as herëve të tjera”.