Çka thotë Raporti i Komunës së Prishtinës për gjendjen me mbeturina?

Komuna e udhëhequr nga Përparim Rama ka përpiluar, më 06.02.2025, një Raport për gjendjen e menaxhimit të mbeturinave në Kryeqytet, përmes të cilit konstatojnë se “gjendja me mbeturina është alarmante”.

Përderisa, kryetari Përparim Rama dhe drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci veçse tri ditë më herët, më 03.02.2025, kishin potencuar se gjendja me grumbullim të mbeturinave në Kryeqytet po përkeqesohet dhe se si Komunë do të shohin të gjitha rrugët ligjore për të angazhuar sektorin privat si gjendje emergjente dhe ndihmë për “Pastrimin”, e cila sipas tyre nuk është në gjendje të plotësojë kërkesat e Komunës.

Raporti, të cilin KALLXO.com e ka siguruar, e që në të kanë punuar zyrtaret, Shkurta Zariqi dhe Lumnije Hyseni, zyrtare të larta për Menaxhimin e Mbeturinave dhe Donat Gashi, zyrtar mbështetës, kishte vlerësuar se Komuna është duke u ballafaquar me sfida serioze në ofrimin e shërbimit bazik. 

Po ashtu, Raporti vlerëson se niveli i shërbimit me vonesa në ofrimin e shërbimit me javë të tëra mund të shkaktojë rrezikim të shëndetit publik. 

Raporti përshkruan nivelin e ofrimit të shërbimit të grumbullimit të mbeturinave nga bizneset, institucionet dhe ekonomitë familjare dhe se i njëjti përfshin periudhën nga data 15 janar 2025 deri më datën e publikimit të Raportit, më 06.02.2025.

Në Raportin e përpiluar nga këta tre zyrtarë të Komunës thuhet se ofrimi i shërbimit ndaj bizneseve është në gjendje jashtëzakonisht të keqe, duke pretenduar se nuk respektohet orari i shërbimit të përcaktuar dhe as mënya e grumbullimit të mbeturinave – siç parashihet në Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave. 

“Kjo ka rezultuar që shumica e bizneseve që operojnë në territorin e Komunës së Prishtinës të shkelin Rregulloren në fjalë – duke lidhur Kontrata me Operatorë të paautorizuar për të operuar në Komunën e Prishtinës.” – thuhet ndër të tjera në këtë Raport. 

Ndërkaq, gjendje po aq të rëndë Raporti konsideron edhe ofrimin e këtij shërbimi ndaj institucioneve.

13.02.2025, drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci përmes një Konference për media deklaroi se gjendja me menaxhimin e mbeturinave në Kryeqytet po vazhdon të jetë ende “tepër emergjente”. 

Brestovci sqaroi se paraprakisht qysh në vitin e kaluar Komuna ka pasur një Vendim për shpallje të një gjendjeje emergjente, si pasojë e gjendjes me menaxhim të mbeturinave. 

Kështu, sipas tij, gjendja emergjente me mbeturina është vazhdimësi nga viti paraprak. 

“Kemi pasë përkeqësim të një gjendjeje dhe me Vendimin e njëjtë të shpalljes së gjendjes emergjente të fillimvitit 2024 kemi vazhduar ta trajtojmë situatën si një gjendje emergjente.” – ka thënë Brestovci.  

Komuna e Prishtinës, më 05.02.2025, njoftoi qytetarët se nuk janë të detyruar t’i paguajnë faturat për grumbullimin e mbeturinave, të lëshuara nga ndërmarrja “Pastrimi”, nga data 01.01.2025.

Ndërkaq, Ndërmarrja “Pastrimi” kundërshtoi këtë Vendim të Komunës, më 03.02.2025, duke thënë se i njëjti është pa asnjë bazë ligjore dhe bie në kundërshtim me Rregulloren për Menaxhimin e mbeturinave, e cila është miratuar nga Kuvendi Komunal dhe aprovuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Vendimi, sipas “Pastrimit”, dëmton qytetarët dhe përbën shkelje të rëndë ligjore. 

Kompania Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” ka reaguar edhe pas Vendimit të Komunës së Prishtinës për shpalljen e gjendjes emergjente për krizën me mbeturinat në Kryeqytet. 

Përmes një njoftimi, kjo Kompani pretendon se “Rama po manipulon me mbeturinat për t’ua dhënë tenderët miqve të tij”.

Ndryshe, edhe më 16.02.2024, Kryeqyteti kishte marrë Vendim për shpalljen e gjendjes emergjente për shkak të grumbullimit të mbeturinave në Kryeqytet, të cilat sipas tyre mund të paraqesin rrezik për shpërndarje të epidemive dhe rrjedhimisht përbëjnë rrezik për jetën e qytetarëve.