Çka thotë Krenare Sogojeva-Dërmaku për konkursin e tejzgjatur për komisioner të Agjencisë për Informim dhe Privatësi

Krenare Sogojeva-Dërmaku, e cila është zgjedhur së fundmi komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, në emisionin “Kallxo Pernime” ka rrëfyer për përvojën e saj.

Ajo ka folur për konkursin për këtë pozitë që ka zgjatur rreth 2 vjet e gjysmë.

“Ajo që di është se Qeveria edhe vonë e ka nënshkruar marrëveshjen me britanezët, për monitorimin dhe vlerësimin e kandidatëve në pozitat e larta, kështu që jam e bindur që kjo edhe ka reflektuar në procesin tim. Edhe sot ndihem mirë që pas dy viteve e gjysmë tentimi për ta marrur vendin për të cilin unë e kam arritur me profesionalizmin tim dhe punën time, u bë”, ka thënë ajo.

Sogojeva-Dërmaku, e cila dy herë radhazi ka aplikuar në këtë pozitë, ka thënë se edhe nëse do të përsëritej procesi prapë do të aplikonte.

“E ushtruar tashmë në një institucion siç është Ministria e Mbrojtjes, ku jam përballur me situata të ndryshme, ku jam përballur me sfida nga më të ndryshmet që më kanë sfidu edhe në aspektin profesional, edhe në aspektin emocional, kjo më ka bërë aq të fortë sa që asnjëherë nuk ndalem”, ka thënë ajo.

Agjencia për Informim dhe Privatësi për katër vite ka mbetur jofunksionale dhe pa komisioner. Pazaret politike dhe përplasjet në Kuvend kanë bërë që për një kohë të gjatë të mbetet pa komisionerin, për shkak se Ligji e parasheh që funksionalizimi i Agjencisë të nisë pasi të emërohet komisioneri. Kosova, për katër vite nuk ka arritur ta trajtojë asnjë ankesë për shkelje të privatësisë.

Komisioni i përbërë prej Enver Dugollit, Erxhan Galushit, Arbër Rexhajt, Fatmir Humollit, Shqipe Selimi, Mefail Bajqinovcit dhe Slavko Simiqit, këta vendosën të vazhdojnë me procesin dhe e renditën të parin Enver Bujarin për komisioner, të dytën e renditën Krenare Sogojeva-Dërmakun, e të tretin Edon Miftarin.

Në fund Krenare Sogojeva Dërmaku, e cila në proceset e kaluara dy herë ishte vlerësuar si kandidatja më e suksesshme nga Ambasada britanike, ajo në fund pas gjithë kësaj sage, pas katër viteve, u emërua komisionere në këtë Agjenci me 65 vota.

BIRN Kosova ka monitoruar procesin e zgjedhjes së komisionerit për Informim dhe Privatësi për 2 vjet e gjysmë sa ka zgjatur ky proces.