Gabriel Escobar, Albin Kurti dhe Miroslav Lajçak në konferencë për media | Foto: ZKM

Çka pritet nga takimi i nesërm Kurti - Lajçak - Escobar?

Dialogu dhe hapat e ardhshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër, do të jetë tema e diskutimit në takimin e nesërm mes kryeministrit Albin Kurti me Këshilltarët për politikë të jashtme të presidentit të Francës, Italisë, Gjermanisë, përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak si dhe emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.

Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Kryeministri Kurti, nesër paradite, pret në zyrën e tij emisarin Lajçak dhe Escobar së bashku me këshilltarët e Kancelarit gjerman, Presidentit francez dhe Kryeministres italiane, Plötner, Bonne dhe Talò. Do të diskutohet për procesin e dialogut dhe hapat e ardhshëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. Për detajet tjera, do të ketë njoftim zyrtar gjatë ditës”- ka thënë ai.

Vizita e nesërme, është paralajmëruar dje nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petar Stano përmes një konference për media.

“Mund të konfirmoj se emisari Lajçak do të udhëtojë këtë javë në rajon, që është në kuadër të tentimeve për ta avancuar dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Lajçaku do ta vizitojë Kosovën e Serbinë këtë të premte, në Prishtinë do të takohet me kryeministrin Albin Kurti e në Beograd me presidentin Aleksandar Vuçiq, ku do të diskutohen hapat e ardhshëm në normalizimin të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë” – tha Stano.

ai the se në këtë vizitë emisari Lajçak do të përcillet nga këshilltarët për politikë të jashtme të presidentit të Francës, kancelarit të Gjermanisë dhe kryeministrit të Italisë, si dhe nga zv.sekretari amerikan Gabriel Escobar.

Nesër paradite, Kurti takon Lajçak, Escobar dhe 3 këshilltarët për politikë të jashtme