Komuna e Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Çka pritet nga Donjeta Sahatçiu si nënkryetare e Prishtinës?

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, ka thënë se do të punojë për bashkëpunim dhe ndryshim të mënyrës si funksionon qeverisja në Komunë.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime” tha se nuk kanë shumë dallim me LDK-në në aspektin e punës.

“Prej meje pritet ta zbatoj një program me të cilin kemi garu si PDK dhe më të cilin jemi pajtuar edhe me kryetarin, Përparim Rama. Janë pesë drejtori që do i kem pjesë të ekipit. Unë nuk i shoh sendet bardh e zi, unë jam aty për ta ndryshuar mënyrën si bashkepunohet dhe funksionon puna”, thotë Sahatçiu.

“E mira e koalicionit është se nuk vërehet dallimi partiak në aspekt të punës”, shton tutje ajo.

Sipas saj, sfida më e madhe për të do jetë tendenca për të ndryshuar edhe detajet më të vogla, kudo, përfshirë emailet që dërgohen nga qytetarët.

“Sfida ime më e madhe do jetë tendenca ime për t’u marrë me punë të vogla për të ndryshuar diçka të vogël kudo, përfshirë emailet që duhet të kthehen tek qytetarët, edhe pse këto të fundit nuk janë detyrë që kryhen patjetër përmes meje”, thotë tutje Sahatçiu.

Nënkryetarja e Prishtinës thotë se do punojë në reforma në arsim, pasi në shkolla ende përdoret sistem i vjetër i punës.

“Do të punojmë me shkolla në atë mënyrë që do përmirësojmë përjetimin në shkolla, jo vetëm mësimin. Do të sigurojmë psikologë e të punojmë ne vlerat ushqyese për fëmijët”, ka thënë ajo.