Ndriçimi i objekteve të Bashkimit Evropian në Kosovë në kuadër të Javës së Diplomacisë Klimatike. Foto: Urim Krasniqi/ KALLXO.com

Çka po bën Bashkimi Evropian për të zvogëluar ndikimin e ndryshimit klimatik? (VIDEO)

Një video-material i përgatitur nga Bashkimi Evropian në kuadër të “Javës së Diplomacisë Klimatike” në Kosovë, shpërfaq punët që po bën BE për të zvogëluar ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe të ngrohjes globale.

Në këtë video paraqiten faktorët negativ me të cilët ndeshet bota sot e të cilët e shkaktojnë ngrohjen globale dhe ndryshimet e klimës.

Bashkimi Evropian në këtë video ka renditur disa nga punët e tyre për të zvogëluar ndikimin e ndryshimit klimatik dhe të ngrohjes globale; reduktim drastik deri në 90 përqind të emetimit të gazrave serrë deri në vitin 2050; kufizimin e prodhimit të energjisë dhe industrive prodhuese; reduktimin e emetimit të gazrave nga automjetet e reja; sigurimin e 14 miliardë eurove për partnerët jashtë Evropës.

https://www.facebook.com/europehousekosovo/videos/937702747094331

Bota është e rrezikuar nga një numër faktorësh që ndikojnë në ngrohjen globale: temperaturat e larta, thatësira dhe zjarret, disponueshmëria e ujit të freskët, përmbytjet, ngritja e nivelit të detit dhe zonat bregdetare.

Në kuadër të kësaj jave, mbrëmë janë ndriçuar me ngjyrë të gjelbër objektet e Bashkimit Evropian në Kosovë: Shtëpia e Evropës në Prishtinë dhe Zyra e Bashkimit Evropian.

Nga 11 tetori deri me 17 tetor do të mbahet panel diskutimi se ku gjendet Kosova në Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, do publikohen video-materiale në faqen zyrtare të European House; do të prezantohen raportet për monitorimin e ajrit për komunën e Pejës dhe komunën e Gjakovës. Përveç kësaj, në Shkollën e Arteve në Pejë do të mbahet ekspozita me gjëra të punuara nga ridizajnimi përmes riciklimit të mbetjeve-rrobave të papërdorura.

Nga 27 shtatori deri më 17 tetor 2021, delegacionet e BE -së dhe ambasadat e shteteve anëtare të BE -së në të gjithë botën kanë filluar këtë organizim për të nxitur dialogun dhe bashkëpunimin mbi ndryshimet klimatike, për të shfaqur histori suksesi dhe për të frymëzuar veprime të mëtejshme.