Çka përmban strategjia e re e Kosovës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit?

Strategjia e vjetër, e hartuar për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin, do të përfundojë ndërsa institucionet në Kosovë janë pjesë e strategjisë së re, e cila edhe pse është themeluar grupi punues dhe është hartuar një draft ende nuk është finalizuar por që qëllimi do të jetë puna për pesë vitet e ardhshme.

Ferdinand Nikolla, këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme, tregoi në emisionin “Kallxo Përnime” se do të nisë hartimi i strategjisë së re në fillim të vitit të ardhshëm.

“Risocializimi, absolutisht që është i rëndësishëm, është kompleks, është punuar maksimalisht dhe po punohet aktualisht. Pjesa e riintegrimit do t’i kushtohet vëmendje e veçantë në strategjinë e re që do të fillojë vitin e ardhshëm kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, tregon Nikolla.

Departamenti i Shtetit në raportin vjetor ka theksuar se zbatimi i strategjisë së vjetër nga ana e institucioneve të Kosovës në luftimin kundër ekstremizmit dhe terrorizmit ka qenë i pabarabartë.

Gjithashtu, në të njëjtin dokument është përmendur se ka pasur mungesë të kapaciteteve por edhe të burimeve financiare për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Departamenti i Shtetit i ShBA-së raportin e ka bazuar në monitorimin e kësaj strategjie në vitin e kaluar ndërsa ka theksuar se strategjia e re do të shpaloset këtë vit, por që e njëjta nga të dhënat në terren del se ende është e papërfunduar dhe nuk ka datë të saktë se kur do të miratohet strategjia e re me ndarjen e punëve për institucionet në pesë vitet e ardhshme.

Këshilltari i ministrit të Brendshëm, Ferdinand Nikolla, arsyetoi mungesën e buxhetit i përmendur në raportin e Departamentit të Shtetit.

“E vërteta është që në Kosovë nuk është risi mungesa e buxhetit, ne kemi mungesë të buxhetit edhe në zbatimin e strategjive të tjera për shkak se jemi vend i vogël me buxhet të kufizuar”, thotë Nikolla.

Ai shton se strategjia e ardhshme parasheh edhe trajtimin se si do të manifestohet riorganizimi i këtyre grupeve për luftëra të tjera apo fenomene të reja.

“Qysh ka me u financu tutje, strategjia e vitit të ardhshëm dallon nga e kaluara për shkak se konteksti ka ndryshu, lufta ka përfundu por nuk do të thotë që ka përfundu organizimi dhe riorganizimi i pjesëtarëve të ISIS-it. Ata janë shpërnda nëpër botë, nëpër vende të ndryshme dhe po tentojnë forma të tjera të riorganizimit prandaj kjo do të jetë po ashtu një nga aspektet që edhe Kosova do ta fusë në strategjinë e re me pa se si do të përgatitet në përgjigjet e këtij lloj fenomeni”, shtoi Nikolla.

Nikolla thekson se në strategjinë e re do të jetë e paraparë që të ketë fokus të veçantë edhe përdorimi i internetit për qëllime terroriste.

Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë thotë në emisionin “Kallxo Përnime” se ka pasur implementim asimetrik. “Siç është përmendur edhe në raport, një ndër problemet më të mëdha që ka qenë në implementim të strategjisë ka qenë koordinimi. Koordinimi ka qenë joefikas sidomos koordinimi mes institucioneve qendrore dhe atyre lokale”, tha Vrajolli.

Ndërsa, Kreshnik Gashi nga KALLXO.com, tha se ajo çka na mungon është analiza çka ka qenë rezultati i strategjisë së kaluar “për shkak se po ta marrim raportin kemi me thanë që strategjia ka qenë super dhe kanë ecur mirë punët por kur bëhen matje kualitative në terren neve na dalin probleme që shifrat janë raportu si aktivitete të kryera mirëpo rezultati në terren nuk ka qenë i duhuri”.

Ai shton se analiza në terren del edhe se aktivitetet të cilat institucionet thonë se i kanë zhvilluar, të involvuarit në trajtimin e këtyre rasteve nuk kanë qenë pjesë e këtyre aktiviteteve.

“Ministria e Arsimit ka raportu që diku 2 mijë e 800 mësues kanë kalu në programet e aftësimit qysh me u marrë me identifikimin e radikalizmit dhe shenjave të para të ekstremizmit të dhunshëm, problemi ka qenë që kur kemi shku në shkollat ku janë vendosur fëmijët e kthyer kemi kuptu që asnjëri prej mësuesve nuk ka qenë i trajnuar se qysh me u marrë me ta”, tregon gjendjen në terren Gashi.

Gashi tregon tutje edhe se qasja në luftimin e këtyre fenomeneve dallon nga komuna në komunë dhe nga institucioni në institucion.

“Gjilani e ka një Mekanizëm Referues, Hani i Elezit nuk ka. Dallon edhe Kaçaniku prej Hanit të Elezit për mënyrën se qysh i qasen problemit dhe kjo është bukur shqetësuese sepse nuk dallojnë si komuna edhe nga niveli ekonomik por edhe nga niveli gjeografik”, tregon Gashi.

Raportimet e KALLXO.com të publikuar javëve të fundit tregojnë se vetëm 10 për qind e mësimdhënësve në Kosovë kanë mbajtur seanca informuese se si të identifikojnë shprehjet e dhunës dhe si t’i qasen luftës kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.

Nga gjithsej 23 mijë e 173 mësimdhënës në të gjithë Kosovën, 2 mijë e 859 prej tyre, përfshirë edhe stafin mbështetës, kanë qenë pjesë e seancave informuese lidhur me parandalimin e radikalizmit të dhunshëm në Kosovë që nga viti 2018.

Të dhënat e numrit aktual të mësimdhënësve në Kosovë janë marrë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ndërsa numri më i lartë i mësimdhënësve figuron në sistemin parafillor dhe të mesëm të ulët, ku janë gjithsej 17 mijë e 353 mësimdhënës.

Në nivelin parashkollor janë 588 mësimdhënës, ndërsa në nivelin e mesëm të lartë 5 mijë e 232 mësimdhënës.

Më shumë se 70 fëmijë të cilët janë kthyer nga zonat e konfliktit në Siri e Irak janë duke ndjekur mësimet në nivele të ndryshme nëpër shkollat e Kosovës.

Përveç këtyre fëmijëve ka edhe të tjerë të cilët kanë vazhduar shkollimin në Kosovë, ndërsa njëri prind ka qenë i përfshirë në konfliktin në Siri e Irak.

Për riintegrimin e këtyre fëmijëve, institucionet e Kosovës përgatitën aktivitete të cila do të u ndihmonin fëmijëve të kuptonin një jetë tjetër, atë të cilën në Siri e Irak nuk kishin arritur ta bënin, ndërsa shumë herë është bërë kërkesë nga ana e mësimdhënësve që të mbahen edhe trajnime në mënyrë që të dihet saktë se si duhet trajtuar dhe mësuar këta fëmijë nëpër shkolla.

Një kërkesë e tillë ka qenë e vazhdueshme nga Hani i Elezit. Atje tre fëmijë të kthyer tash e disa vite mësojnë në njërën nga shkollat e kësaj komune ndërsa, në një intervistë për KALLXO.com, drejtori i kësaj shkolle (emri i tij nuk do bëhet publik për shkak të mosidentifikimit të shkollës) kishte ngritur alarmin për mostrajnimin e mësimdhënësve.

Kosova ka kthyer më shumë se 100 persona nga zonat e konfliktit në tre vitet e fundit.

Burrat, gratë e fëmijët e kthyer disa nga ta pa asnjërin prind, janë duke u përballur me procesin e riintegrimit duke u bërë pjesë e shumë aktiviteteve të cilat po aplikohen nga institucione të ndryshme në Kosovë.

Më pak se 10% e mësuesve të Kosovës janë të informuar për procesin e ri-atdhesimit dhe ri-integrimit

KALLXO.com në disa hulumtime dhe emisione të transmetuara vitet e fundit ka treguar mungesën e kapaciteteve në nivelin lokal por edhe atë të nivelit qendror për të riintegruar të kthyerit nga zonat e konfliktit.