Çka parasheh projektligji për rimëkëmbje ekonomike?

Pas gjashtë tentimeve, Kuvendi i Kosovës ka arritur sot që ta votojë në parim projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike.

Ky projektligj u votua në lexim të parë me 64 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Vlera e këtij projektligji është 385 milionë euro.

Në nenin 12a parashihet tërheqja e qytetarëve të 10 për qindshit të kursimeve të tyre pensionale në  Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës – Trust.

Mundësia për këtë ndryshim ligjor është bërë për shkak të pasojave ekonomike nga situata me pandeminë COVID-19.

“Me qëllim të tërheqjes së mjeteve, pjesëmarrësit aplikojnë në formë elektronike pranë FKPK-së brenda katër (4) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Çdo aplikacion që merr FKPK në formë elektronike e trajton atë si të mirëqenë dhe zyrtare, dhe shqyrton kërkesën sipas dispozitave të këtij neni. Procedura e aplikimit zhvillohet sipas procedurave të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi për procedurën e përgjithshme administrative”, thuhet në projektligj.

Aplikacioni sipas paragrafit 2 të këtij neni është i kushtëzuar me pëlqimin e aplikantit për përpunimin e të dhënave të tij, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

Me kërkesë të FKPK-së, BQK-ja, Agjencia e Regjistrimit Civil, Administrata Tatimore e Kosovës, Thesari i Kosovës dhe institucionet tjera relevante, si dhe bankat komerciale të licencuara nga BQK ndajnë të dhënat e nevojshme të pjesëmarrësve, me qëllim të shqyrtimit të kërkesave.

Pika e 5-të e këtij neni parasheh që mjetet nga kërkesat e aprovuara nga FKPK transferohen në llogaritë bankare të përfituesve në bankat komerciale të licencuara nga BQK-ja dhe tërheqja e mjeteve bëhet vetëm nëpërmjet llogarive bankare.

Kurse, pagesa e mjeteve të aprovuara bëhet në bazë të numrit, çmimit dhe vlerës së njësive që ka çdo aplikant në llogarinë e tij personale në FKPK në ditën e aplikimit, përfshirë këtu ndryshimet eventuale në çmimin e njësisë deri në datën e pagesës. Mjetet e tërhequra sipas këtij neni, janë të përjashtuara nga tatimi në të ardhurat personale.

Tutje, në nenin 7 parashihet plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit Nr. 05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar që shtohet një paragraf i ri që është furnizimet e hoteleve, restoranteve dhe shërbimet e ushqimit.

Po ashtu, me këtë projektligj kërkohet që mjetet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit të mund të ridestinohen edhe për kategoritë e kërkuara ekonomike, përveç kategorisë së pagave dhe mëditjeve. Do të hiqet kufizimi që mjetet e pranuara nga privatizimi të destinohen vetëm në projektet infrastrukturore.

Me ndryshimet në Ligjin për Tatim në të Ardhurat e Korporatave dhe në Ligjin për Administratën Tatimore, synohet që të mundësohet shtyrja e afatit të pagesës së tatimeve të bizneseve deri në dy vjet, sipas kritereve që do të përcaktohen, si dhe lirimi i të gjitha bizneseve nga ngarkesa e interesit për mospagesë të tatimeve, me kusht që të paguhen deri në fund të këtij viti.