Ilustrim

Çka parasheh Kodi i ri i procedurës penale për rastet kur gjykatat kanë vendosur gabimisht në favor të të akuzuarve?

Kuvendi i Kosovës në seancën plenare të së enjtes, e ka miratuar në lexim të dytë Kodin e ri të procedurës penale.

Në dispozitat e këtij kodi është lënë mundësia që gjykata supreme si autoritet kompetent në rastet kur kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë paraqitet në dëm të të pandehurit, ka mundësinë që çështjen ta kthejë në rigjykim.

Kjo pasi në nenin përkatës lidhur më këtë çështje është bërë një përjashtim lidhur me këto raste, ku kjo çështje është rregulluar ashtu që kur Gjykata Supreme vetëm e konstaton shkeljen e ligjit, me përjashtim të rasteve kur vendimet janë të bazuar në shkelje të rëndë.

“Kur Gjykata Supreme e Kosovës çmon se kërkesa e paraqitur për mbrojtjen e ligjshmërisë në dëm të të pandehurit është e bazuar, vetëm konstaton shkeljen e ligjit pa ndikuar në vendimin e formës së prerë, përveç nëse vendimi i formës së prerë është qartazi i papërshtatshëm ose i bazuar në gabim të rëndë”, thuhet në nenin që e rregullon këtë çështje.

Raste të shumta deri tani kanë përfunduar me shpalljen të pafajshëm të personave të akuzuar, pa pasur mundësinë e rigjykimit të tyre edhe pse Gjykata Supreme ka konstatuar që ligji ishte shkelur në favor të të akuzuarve nga shkalla e parë dhe e dytë.

Një rast i tillë ka qenë edhe rasti ku ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj, i cili ishte liruar si i pafajshëm, e Gjykata Supreme kishte konstatuar se lirimi ka qenë i kundërligjshëm.