Çka në të vërtet përmban propozimi i BE-së për Kosovën e Serbinë?

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet rreth Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Gjyljeta Mushkolaj, ish-gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, është shprehur optimiste rreth kësaj Marrëveshjeje.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se atë që Serbia s’e ka pranuar në të kaluarën e ka bërë tash.

“Kjo është marrëveshje përafërsisht e njëjtë, është parashikuar për propozimin gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, sipas Pakos së Ahtisaarit. Ai propozim nuk u pranua nga Serbia por plani u pranua tash” – ka thënë Mushkolaj.

Ndërsa Violeta Haxholli nga KDI-ja ka thënë se Marrëveshja e 27 shkurtit është më ndryshe se të gjitha të tjerat që kur ka filluar dialogu mes Kosovës e Serbisë më 2011.

Haxholli madje këtë Marrëveshje e ka krahasuar me atë të modelit të dy Gjermanive.

“Sot kur ti lexon të dyja këto marrëveshje, pra këtë që ndodhi mbrëmë mes Kosovës dhe Serbisë si dhe atë të dy Gjermanive, vëren shumë fjalë të njëjta që janë përdorur në të dyja marrëveshjet. Vërehet që janë përdorur ato parimet univerzale të Kartës së OKB-së apo parimet evropiane. Ajo çka dallojnë është në faktin që kjo ende nuk është nënshkruar, dje ka pasur një lloj zotimi verbal të liderëve” – ka thënë Haxholli.

Haxholli ka shtuar se nuk është shumë optimiste kur vjen puna te zbatimi i Marrëveshjes, marrë parasysh edhe ato në të kaluarën.

E krejt i zhgënyer me këtë Marrëveshje është shprehur Emanuel Bajra, që është pjesë e grupit punues për draftimin e infrastrukturës ligjore të Fondit Sovran të Kosovës.

Madje ai ka thënë se Kosova ka pranuar marrëveshje ‘përshesh’.

Këtë emërtim e ka dhënë ai pasi që sipas tij, do ta shndërrojë Kosovën në një entitet politik irelevant dhe të papeshë.

“Është shqetësuese dhe zhgënjyese, kam pritur shumë më tepër, për shkak se kemi qenë në një proces të negocimit që sa kohë. E quaj përshesh pasi që nëse e shikojmë në tërësi paragrafet e propozuara, me të vërtet është zgjidhje evropiane  në ekosistem ballkanik, e ne kemi pasur nevojë për një zgjidhje ballkanike në ekosistemin evropian” – ka thënë Bajra.