Ministria e Shendetesise 2

Foto: Denis Sllovinja

Çka ndodhi me tenderin në vlerë mbi 300 mijë euro të Ministrisë së Shëndetësisë?

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet reportazhi për tenderët në shëndetësi, të bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

Një i tillë është edhe ai i Ministrisë së Shëndetësisë, e cila në gusht të vitit 2021 kishte iniciuar një tender për Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShPK).

Tenderi me titullin ‘Furnizim me pajisje laboratorike për nevojat e IKShPK’ kishte vlerën e parashikuar të kontratës 360 mijë euro. Qëllimi i tenderit ishte që IKShPK-ja të furnizohet me një apraturë të analizave.

Por, ende pa u shpallur fituesi i tenderit, ai është bllokuar, pasi që kompania ‘Kodra AK’ kishte deponuar një ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, pasi që pretendon se specifikat teknike të tenderit janë përshtatur për të favorizuar një prodhues.

Në dosjen e ankesave kompania pretendon se Ministria e Shëndetësisë tek specifikat teknike të tenderit ka favorizuar dy prodhuesit ‘Diasorin’ dhe ‘Thermofisher’.

Sipas ankesës, specifikat teknike të detyrueshme tek aneksi 1 për LOT 1, 2 dhe 3 në dosjen e tenderit janë të njëjta sikurse të prodhuesit ‘Diasorin’ për produktin e tyre ‘Liaison’.

Gjithashtu, edhe për dy produkte të tjera, ‘Kodra AK’ pretendon se janë favorizuar për një prodhues.

Në ekspertizën e tij, eksperti i OShP-së, Ilir Halili, jep mendimin e tij se specifikat teknike të dosjes së tenderit dhe të prodhuesit të produktit janë të ngjashme.

“Pas analizimit të mëtutjeshëm dhe krahasimit të specifikave teknike në dosje dhe pajisjeve të prodhuesve të lartcekur, kemi gjetur se shumë veti funksionale të pajisjeve, dimensione të pjesëve të pajisje dhe kapaciteti i punës së pajisjeve të kërkuara në dosje, janë identike me prodhuesit e cekur më lartë”, thuhet në raportin e dorëzuar në OShP.

“Mendimi i ekspertit është se Autoriteti Kontraktues me rastin e korrigjimit të dosjes së tenderit, të lejojë një tolerancë prej plus/minus 10%, në mënyrë që të mundësohet një pjesëmarrje më e gjerë e operatorëve të mundshëm ofertues”, thekson raporti.

“Bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e operatorit ekonomik të aprovohet e bazuar. Në të njëjtën kohë propozojmë që Autoriteti Kontraktues të bëjë korrigjimin e kërkesave në dosje të tenderit dhe të shtyhet afati për ofertim, konform dispozitave të Ligjit të Prokurimit”, përfundon raporti.

Udhëheqësi i Departamentit të Mikrobiologjisë në IKShPK, Xhevat Jakupi, nuk ka pranuar që të flasë para kamerës për këtë tender. Ai ka dërguar një përgjigje me shkrim, ku ka shprehur nevojën që të furnizohen me këtë pajisje.

“Natyrisht se aktivitetet tenderuese të inicuara nga Departamenti i Mikrobiologjisë, IKSHPK,  të cilat janë në proces të shqyrtimit në OShP, e cila ka 9 muaj që nuk është funksionale, ka ndikuar që të ketë vonesa në furnizim me artikuj të caktuar (pajisje, material harxhues), përkatësisht vonesa në implementimin e aktiviteteve të planifikuara”, thotë Jakupi.

“Përkundër shumë vështirësive, Ministria e Shëndetësisë ka arritur të realizojë disa kontrata për furnizim me artikuj te lidhur me testimin për SARS-CoV-2 në IKShPK dhe vazhdimësia e testimit nuk është vënë në pikëpyetje në asnjë moment”, përfundon ai.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime se pse dhe kush i ka përcaktuar kriteret teknike në këtë tender, ndërsa  Instituti ka vendosur të përgjigjet vetëm me shkrim në pyetjet rreth këtij tenderi.

Në përgjigje thuhet se specifikat teknike, për të cilat pretendohet se ka favorizim të një prodhuesi, janë përpiluar nga ana e ekspertëve të IKShPK-së.

“Ekspertët e IKSHPK-së, specifikat teknike të pajisjeve të cilido tender i përpilojnë bazuar në nevojat e punës në IKSHPK dhe asnjëherë me qëllim të favorizimit ose diskriminimit të ndonjë operatori ekonomik. Qëllimi i përhershëm i ekspertëve të IKSHPK-së është që të kemi pajisjet më adekuate për të kryer misionin që ka IKSHPK, përkatësisht për të ofruar shërbime diagnostike kualitative, e cila për fat të keq shpesh (në rast se jo gjithmonë) nuk është prioritet i operatorëve ekonomik që aplikojnë në procese tenderuese”, ka thënë IKShPK-ja.

Ministria e Shëndetësisë, si iniciuese e tenderit, gjithashtu nuk i është përgjigjur kërkesës për intervistim. Ata, përmes një përgjigje të shkurtër me shkrim kanë thënë se bllokimi i tenderit ka sjellë telashe.

“Sikurse edhe për organizata të tjera, mungesa e Bordit të OSHP-së ka shkaktuar telashe në trajtimin e lëndëve, përkatësisht ankesave të ndryshme lidhur me procedura të prokurimit. Gjatë kësaj kohe, Ministria ka pasur pesë lëndë në procedura të ankimimit nga ana e operatorëve ekonomikë”.

“Megjithatë, duke qenë që ka qenë kohë e pandemisë dhe nevojat kanë qenë të mëdha për furnizime të ndryshme, Ministria e Shëndetësisë ka bërë zgjidhje të tjera dhe në këtë drejtim, marrëveshja me UNOPS-in për prokurime përmes kësaj organizate, ka ndihmuar në realizimin e prokurimeve të nevojshme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Aktualisht, dosja e Institutit është e bllokuar në OShP dhe pret bordin e këtij institucioni që të funksionalizohet dhe të marrë epilogun.