Çka ndodhi me Projektligjin për Trustin në Komisionin për Buxhet

Një keqinterpretim i rregullores së Kuvendit, ka bërë që Projektligji për Trustin fillimisht të miratohet në Komisionpër Buxhet… e më pas nga i njëjti komision të konstatohet që nuk është miratuar.

Ky projektligj që u mundëson tërheqjen e deri në 30 përqind të mjeteve të qytetarëve nga Fondi Pensional dje është shqyrtuar në Komisionin për Buxhet dhe Financa ku u tha se mori votat e shumicës së deputetëve.

“Me katër vota për, tri kundër, dy abstenime, ky propozim kalon”- ka thënë kryetari i komisionit, Armend Muja dje rreth orës 14:00.

Por, komisioni u mblodh prapë në ora 16:00 në një mbledhje të re ku edhe u konstatua që ky projektligj nuk ka kaluar.

Zëvendësuesja e Koordinatorit të këtij komisioni, Elfete Alshiqi – Beqiri ka thënë se ky propozim nuk ka kaluar pasi është dashtë të jenë pesë vota për.

“Në bazë të rregullores së Kuvendit nuk është miratua, sepse nëntë deputetë kanë marrë pjesë në atë mbledhje, prej nëntëve duhet shumica anëtarëve më qenë për, kështu që nuk është miratua sepse është dashtë pesë vota me qenë për, e në këtë rast nuk i ka marrë votat e shumicës”- ka thënë ajo për KALLXO.com.

Sipas Rregullores së re të Kuvendit, e cila është miratuar në korrik të këtij viti, Komisioni merr vendim me shumicën e votave të anëtarëve që marrin pjesë në votim.

Ndërsa, nënkryetari i komisionit për Buxhet, deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku ka thënë se në mbledhjen e orës 16:00 u vendos që ky projektligj të shkojë në seancë të Kuvendit pa miratimin e komisionit.

“Ne patëm dy mundësi, ose të përsërisim votimin në mbledhje ose ta dërgojmë pa miratimin e komisionit. Dhe sipas pajtueshmërisë tonë në komision që e kishim dje, kemi menduar që projektligji të shkojë në seancë të Kuvendit dhe le të vendosin deputetët në seancë të Kuvendit. E patëm një mbledhje nga ora 16:00 dhe aty e shqyrtuam këtë çështje”- është shprehur Lushtaku për KALLXO.com.

Edhe zëvendësuesja e Koordinatorit të këtij komisioni, Elfete Alshiqi – Beqiri tha se projektligji “si me rekomandim të komisionit për apo kundër ka me u shqyrtu prapë në seancë plenare”.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe kryetarin e Komisionit për Buxhet, Pune dhe Transfere, deputetin e LVV-së, Armend Muja, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Projektligji për Trustin është dërguar në Kuvend, si nismë legjislative pas mbledhjes së më shumë se 20 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës.

Prezantimin e këtij projektligji në komision e ka bërë Adnan Jashari, si përfaqësues i iniciativës e cila ka ardhur në Kuvend pas nënshkrimeve.

Në një prononcim për KALLXO.com, Jashari zhvillimet e djeshme lidhur me Projektligjin për Trustin, i quan papërgjegjësi të kryetarit të Komisionit.

“Kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere Armend Muja pas votimit konstatoi që me 4 vota pro kalon propozimi për Nismen Legjislative. Por më vonë e ka kuptuar që me rregullore të re të Kuvendit janë dashur 5 vota pro. Kjo është një papërgjegjësi e tij”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Jashari dje në Komisionin për Buxhet ka thënë se nënshkrimet për këtë projektligj janë mbledhur brenda pak ditëve nga qytetarët.

“Pranuam mijëra kërkesa nga qytetarët që kërkesa dhe nevoja është e madhe. Qytetarët u organizuan vullnetarisht ku edhe dorëzuam nënshkrimet e rregullta të cilat janë mbi 17 mijë nënshkrime. Këto kërkesa erdhën pas janë rritur te gjitha çmimet dhe është bërë e vështirë jeta e qytetarëve”- ka thënë Jashari.

Projektligji për Trustin fillimisht ka dalë në votim në muajin qershor, por është refuzuar nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje. Edhe institucionet financiare ndërkombëtare vazhdimisht e kanë kundërshtuar mundësinë e tërheqjes së mjeteve të trustit.

Më 15 korrik të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës u dorëzuan nënshkrimet e peticionit për nismën legjislative qytetare për Projektligjin për Trustin.

Gjatë vitit 2020, Qeveria Hoti kishte vendosur që t’u lejojë qytetarëve që të nxjerrin 10 për qind të shumës së tyre të grumbulluar në Fondin Pensional.

Kjo nismë u shoqërua me telashe dhe stërzgjatje në votimin e ligjit, probleme teknike më pas dhe çështje tjera. Atë vit, qytetarët e Kosovës tërhoqën nga kursimet e tyre pensionale mbi 198 milionë euro.