Çka ndodh në seancën konstituive të Kuvendit sot?

Zgjedhjet e 6 tetorit sollën ndryshim në skenën politike të Kosovës.

Për herë të parë, forca më e madhe politike në vend doli Lëvizja Vetëvendosje e cila i fitoi 29 deputetë ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës u rendit e dyta me 28 deputetë.

Që prej kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë bërë gati tre muaj ndërsa konstituimi i Kuvendit ende nuk është bërë.

Më 27 nëntor u certifikuan rezultatet e zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

E pas kësaj, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi caktoi datën për mbledhjen e parë të legjislaturës së shtatë më 24 dhjetor.

Por, pas pak ditësh, Thaçi njoftoi se e ndërroi datën dhe caktoi 26 dhjetorin për seancën konstituive.

Sipas rregullores së Kuvendit të Kosovës, seanca konstituive mbahet më së largu 30 ditë nga certifikimi i rezultateve.

E derisa u shterën ditët për seancën ku zgjidhen kryetari dhe pesë nënkryetarët, vazhdonin takimet ndërmjet dy partive fituese të 6 tetorit.

Albin Kurti e Isa Mustafa a panë shumë herë bashkë ditëve të fundit. Por, ajo që pritej, një marrëveshje për bashkëqeverisje, nuk u arrit dot.

Në seancën konstituive, propozimin për kryetar të Kuvendit të Kosovës i takon partisë fituese të zgjedhje, që në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit përbejnë edhe kryesinë e legjislativit.

Por, siç është deklaruar publikisht, Albin Kurti, për të arritur marrëveshje me LDK-në, kishte ofruar këtë postë partisë së Isa Mustafës.

Sot, në seancën konstituive dy partitë shkojnë pa një marrëveshje paraprake dhe ende nuk dihet se kush do të jetë kryetar i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e shtatë.

Por, ajo që tashmë dihet është se kjo seancë do të udhëhiqet nga dy deputetet e zgjedhur të Lëvizjes Vetëvendosje. Si më i vjetri në moshë, Jahja Koka dhe si më e reja, Fjolla Ujkani.

“Kryesuesi i mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit, pas hapjes së mbledhjes dhe paraqitjes së rendit të ditës, kërkon nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend ta caktojnë nga një përfaqësues në Komisionin e përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve”, thuhet në rregulloren e Kuvendit.

Pas kësaj, deputetet e zgjedhur bëjnë betimin për mandatin katër vjeçar.