Ilustrim

Çka na mësoi mësimi në distancë gjatë pandemisë?

Prej kur në Kosovë erdhi pandemia, e mësimi nëpër klasa kaloi në platforma online, shumë vështirësi u paraqitën për nxënësit.

Shifrat tregojnë që rreth 30 mijë nxënës nuk morën pjesë fare në mësimin në distancë ndërsa pjesa më e madhe e tyre ishin nga komunitetet joshumicë në Kosovë.

Por, çfarë mësuam nga mbajtja e mësimit në distancë dhe çfarë duhet vepruar në të ardhmen?

“Pandemia ka ndikuar në shumë aspekte, por më së shumti në edukim, dhe ata që kanë pësuar më së shumti janë nga tri komunitet: rom, ashkali dhe egjiptian. Së pari, familjet nuk kanë pasë mundësi me ua pagu internetin, e dyta nuk kanë pasë teknologjinë e duhur për ta ndjekur mësimin dhe probleme të tjera”, ka thënë Muhamet Arifi, drejtor i organizatës joqeveritare “Ballkan Sunflowers”.

Krejt këto vështirësi, sipas Arifit, ka bërë që fëmijët të mbesin prapa me mësime, madje ai thotë se mbi gjysma e fëmijëve të këtyre komuniteteve kanë mbetur pa ndjekur mësimin në distancë.

“Mbi gjysma e fëmijëve kanë mbetur pa e ndjekur mësimin, në ato komuna që ne operojmë të paktën, si në Fushë-Kosovë, Graçanicë dhe Obiliq”, tha ai në emisionin “Kallxo Përnime”.

Muhamet Arifi, drejtor i organizatës jo-qeveritare “Ballkan Sunflowers”. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ai ka thënë se përpjekjet nga komunat kanë qenë të mangëta për t’i pajisur fëmijët me teknologjinë dhe pajisjet që do t’i mundësonin ndjekjen e mësimit online.

“Në shkollën prej nga vij unë, prej rreth 900 nxënësve, 90 janë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Sa i përket organizimit të mësimit, ne jemi munduar ta organizojmë mësimin fizik, por kemi pasur raste kur jemi detyruar që atë ta bëjmë edhe online”, ka thënë Sabri Xhigoli, drejtor i shkollës “Daut Bogujevci” në Fushë-Kosovë.

Ai ka thënë se kanë bërë përpjekje për sigurimin e pajisjeve teknologjike ndërsa ka thënë se rreth 80 për qind e nxënësve të komunitetve nuk kanë arritur ta ndjekin mësimin në distancë.

“Problemet i kemi pasur te fëmijet e komuniteteve sepse nuk kanë mujtë me ndjek mësimin online për shkaqe teknike, nuk kanë qenë të pajisur. Ne kemi dërguar kërkesa në DKA, i kemi siguruar pesë tabletë për pesë nxënës”, ka thënë ai.

“Do t’i sigurojmë edhe mbi 30 tabletë të cilët do të shkojnë për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. 80 për qind e nxënësve të komuniteteve nuk kanë arritur ta ndjekin mësimin online”, tha ai.

Për ta kompensuar mësimin e humbur, me vendim të Ministrisë së Arsimit do të organizohet mësim plotësues në grupe.

Sabri Xhigoli, drejtor i shkollës “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Do ta organizojmë mësimin plotësues, përmes grupeve në katër sosh, ky është edhe një vendim nga ministria”, tha drejtori i shkollës nga Fushë-Kosova.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se organizimi i mësimit plotësues nuk mjafton por është mënyra më e mirë aktualisht për t’u bërë.

“Nuk mjafton, por është gjëja më e mirë që kemi mujt me bë. Analizat e vitit të kaluar flasin se mësimi është humbë diku për 25 për qind, për ata që kanë marrë pjesë në mësimin online, ndërsa 40 për qind për ata që nuk kanë marrë pjesë fare, kjo është në tërë botën”, tha Pupovci.

Dukagjin Pupovci, zëvendësministër i Arsimit

“Mësimi online nuk është zgjidhje, as për zona urbane e lëre më për këto komunitetet të cilat janë në gjendje të vështirë ekonomike”, deklaroi numri dy i Ministrisë së Arsimit.