Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Çka i premtuan Llapit tre kandidatët për kryetarë?

Disa ditë para se qytetarët e Podujevës do të dalin në votime në zgjedhjet e parakohshme për kryetarë, tre kandidatë nga tre partitë më të mëdha në vend shpalosën premtimet me të cilat synojnë ta fitojnë Llapin.

Në garën e ashpër për të fituar afër një vit në krye të Podujevës, kandidatët nga PDK, LDK e LVV u mblodhën të tre për herë të parë në fushatën zgjedhore për të debatuar përballë Jeta Xharrës në DebatPernime.

Për të parin e kësaj komune në zgjedhjet e së dielës , kandidojnë Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosvës, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Përveç diskutimit për të ardhmen e Podujevës, në debat u shpalosën edhe gjetjet e hulumtimit mbi qeverisjen tre vjeçare të LDK-së në komunë. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari u përball edhe me pasqyrën e qeverisjes që la në gjysmë bashkëpartiaku i tij e më pas e vazhdoi vetë ai për tetë muaj. 

Komuna e Podujevës vazhdon të përballet me shumë probleme. Llapjanët kanë telashe me ujë të pijes, bërllok e infrastrukturë.

Qeverisa në mandatin e fundit në Podujevë u pasqyrua edhe në Raportin e Performancës së Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Në këtë raport,  Komuna e Podujevës renditet si  26-ta. Gjithashtu, edhe raporti i Auditorit të Përgjithshëm adresoi disa kritika për ekzekutivin lokal.

 Në raportin e vitit 2019, Auditori i Përgjithshëm ka thënë se komuna ka arritur ta shpenzoj vetëm 69% të buxhetit. 

Në raport thuhet po ashtu se bizneset e Podujevës i kanë borxh komunës mbi 2 milion euro e edhe se komuna nuk ka të publikuar askund listën e uzurpatorëve.

 Por, qeverisje më të mirë se deri më tani kanë premtuar tre kandidatët që synojnë ta marrin pushtetin pas datës 29 nëntor.

Programi qeverisës i tre kandidatëve

Shpejtim Bulliqi, Nexhmi Rudari e Naim Fetahu në emisionin “Jeta në Komunë” kanë premtuar investime në shëndetësi, arsim e infrastrukturë. Premtimet për një vit qeverisje, kandidati i PDK-së, Naim Fetahu e nisi me planet për bizneset.

“Në kuadër të progaramit tim kam paraparë që në 100 ditëshin e parë të bëjmë studimin e fizibilitetit për të vendosur një zonë industriale tek Shtedimi, Meroc dhe Lagjja e Bracalive me qëllim që të mbështesim biznesin sepse duke mbështetur biznesin do të mbështesim edhe hapjen e vendeve të reja të punës”, ishte njëra nga pikat e programit të Fetahut për qeverisjen e Podujevës.

As ndihmat për bujqit nuk munguan në planin qeverisës të PDK-së në Llap. 

“Do t’i rrisim mjetet buxhetore dyfish më shumë për bujqësinë, do të rregullojmë infrastrukturën bujqësore për krijimin e tregjeve të reja, do të u japim këshilla atyre”, deklaroi ai.

Naim Fetahu Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Fetahu tha gjithashtu se do të depolitizojë arsimin në Komunën e Podujevës. 

“Do të mbështesim arsimin, do ta depolitizojmë arsimin në komunën tonë, do t’i dixhitalizojmë shkollat do të punojmë që të kemi më pak nxënës në klasë e do të rrisim cilësinë në arsim, në mësimdhënie dhe në mësimnxënie, do t’i pajisim shkollat me laboratorë të fizikës, kimisë”, tha tutje Fetahu i PDK-së.

Pas PDK-së, planin qeverisës të Komunës së Podujevës e shpalosi edhe kandidati i LDK-së, Nexhmi Rudari. 

Nexhmi Rudari Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ky i fundit është edhe ushtrues i detyrës së kryetarit që nga shkurti i këtij viti. 

“Nga buxheti i miratuar, jemi fokusuar kryesisht në kërkesat e qytetarëve të cilat kanë rrjedhë nga debati publik. Ato lidhën në infrastrukturë e kanalizime. Gjithashtu, kërkesë mbetet ndriçimi publik, këtë vit kemi realizuar 50 kilometra ndriçim publik”, deklaroi ai në emisionin “Debat Pernime” përballë Jeta Xharrës.

Rudari ka përmendur edhe punët që janë bërë nga qeverisja e LDK-së në Podujevë, ndërsa shtoi se komuna që drejton tani njihët si qyteti i dritave. Ndërsa tha se do të ndihmohet edhe bujqësia.

“Podujeva, deshtën apo nuk deshtën të tjerët, po bëhet qytet i dritave, sepse u bë virale kjo puna e dritave. Ne i kemi dhënë prioritet edhe bujqësisë, rreth 1 milion euro”, deklaroi nënkryetari aktual i Podujevës, Nexhmi Rudari.

Bulliqi i cili është kandidat për Llapin nga Lëvizja Vetëvendosje, premtoi administratë dhe arsim më të mirë.

Shpejtim Bulliqi Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

 

“Do të kemi një administratë publike profesionale, e paanshme dhe e përgjegjshme, me kod etik e që respekton procedurat. Do të angazhohemi për një arsim cilësor, në shërbim të zhvillimit dhe rekrutim të personelit mbi baza profesionale”, tha tutje Bulliqi.

Tutje, Bulliqi ofroi mbështetje edhe për fermerët dhe për zhvillimin e prodhimit bujqësor.

“Mbështetje bizneseve për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, shërbime shëndetësore me rend dhe rregull. Jo çfarë po ndodh sot në komunën tonë, disa krejt bota është ngritë në këmbë për pandeminë ne shkarkojmë drejtoret e shëndetësisë”, tha kandidati i LLVV-së, Shpejtim Bulliqi.

Urbanizmi është një temë tjetër e cila zuri vend në planin qeverisës parazgjedhor për Podujevën nga Bulliqi. 

“Planifikim urban dhe infrastrukturë bashkëkohore, politika ambientale dhe zgjerim të hapësirave të gjelbra, jo siç po veprohet. Kulturë dhe sport. Krejt këto do t’i bëjmë me qytetarët e Llapit, ndryshimi do të vijë pas datës 19 gradualisht”, tha ai

Asfalti para zgjedhjeve

Zgjedhjet për të parin e Komunës së Podujevës u parapanë që të mbahen më 15 mars të vitit 2020. 

Por, ato u shtynë një ditë para se të mbaheshin për shkak të situatës me pandemi.

KALLXO.com, atë kohë kur kishte mbajtur debatin për të parin e Podujevës, kishte publikuar fotografi të cilat tregonin se në kohë zgjedhjesh, po shtrohej asfalt e zhavor deri në hyrje të shtëpisë.

Megjithatë, në këtë kohë, në fshatrat, Bellopojë, Kaçibeg, Gërdovc janë parë rrugë të asfaltuara, madje edhe kamionë të cilët bënin shtimin e rrugëve me zhavor.

Asfalti në oborr të shtëpisë në Podujevë fshati Bellopojë, Foto: KALLXO.com

Përveç shtrimit të asfaltit Komuna e Podujevës ka kontraktuar një kompani që të shtrojë rrugë me zhavor, vlera e kontratës e cila është 170 mijë euro. 

Kandidati i LDK-së, Nexhmi Rudari nuk komentoi shtrimin e asfaltit që është bërë pak para zgjedhjeve por nuk harroi t’i kërkoj falje, ‘kushërinjve” të tij siç i quan që nuk arriti t’u shtroj asfaltin në rrugën e cila është vështirë e kalueshme.

Rruga e pa shtruar në lagjen Rudari në fshatin Bellopojë, Foto:KALLXO.com

“Po më vjen keq dhe u kërkoj falje kushërinjve të mi që nuk iu paska shtru rruga. Kjo dëshmon që nuk bëjmë selektim. Do t’i riparojmë të gjitha rrugët që kanë nevojë”, ka thënë Nexhmi Rudari në emisionin Jeta në Komunë.

Tutje ai shtoi se nuk bëjnë zgjedhje në baza familjare për asfaltimin e rrugëve. 

Për rrugët e asfaltuara, kandidati i PDK-së thotë se kjo situatë ekziston që moti ndërsa premton që me ardhjen e tij në krye të Podujevës punët për rrugë do të kryhen një herë por mirë siç thotë ai. 

“Infrastruktura në komunën tonë edhe në aspektin e cilësisë dhe kohës së kryerjes lë shumë për të dëshiruar. Janë asfaltuar rrugë aq të ngushta vetëm për fushatë elektorale dhe ka mbet anash. Komuna e Podujevës nuk kanë qerdhe e as trafik urban. Janë prish e ndërtu rrugë ka 45 brenda 5-6 vjetëve po e përmendi rrugën prej stacionit të autobusëve dhe kjo praktikë do të ndalet njëherë e përgjithmonë”, tha Fetahu. 

Shpejtim Bulliqi nga LVV tha se buxheti i votuar nga komuna e cila drejtohet momentalisht nga LDK, do të ri-shqyrtohet dhe do të orientohet më shumë në shëndetësi e arsim. 

“Ne nuk do t’i shpenzojmë 80 përqind të buxhetit të komunës në asfalt qysh janë ka bojnë. Këta njerëz katër vjet flejn e dy muajt e fundit ngjallen edhe i aktivizojnë edhe ministritë ku i kanë në funksion. Në muajin qershor së bashku me asamblistët do ta rishikojmë buxhetin dhe buxheti i qytetarëve do të ri-orientohet në shëndetësi, arsim e kulturë”, shtoi Bulliqi. 

Shëndetësia në Podujevë

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, në fund të muajit tetor e shkarkoi Drejtorin e Shëndetësisë, Zaim Thaçin. 

Kështu, kjo komunë, në kohë pandemie është pa Drejtor të Shëndetësisë, ndërkohë që rastet me COVID-19 po shtohen.

Në debat, Rudari ka thënë se shkarkimi i tij erdhi si pasojë e performancës.

“Çështja e shkarkimit të drejtorit është çështje që është vlerësuar nga unë si kryetar i ekzekutivit për mungesë performance. Unë kam dashtë që të kem një drejtor shumë më proaktiv në këtë kohë të pandemisë. Nuk them që nuk ka punuar, është angazhuar por nuk i ka përmbushur pritjet e mia. Për momentin është një drejtor i autorizuar, sepse nuk kam dashtë me emërua dikë në kohë zgjedhësh”, deklaroi ai.

Por, në këtë version nuk u pajtua kandidati Vetëvendsojës, Shpejtim Bulliqi. Ai ka thënë se në komunë nuk pyetet Nexhmi Rudari, por dikush tjetër.

“Ky është shumë djalë i mirë po, ky as nuk mund të ngarkoj as s’mund të shkarkoj, tjetërkush vendos për këto çështje. Dihet, shefi i tij vendos për këto çështje. Ai djalë ka punu edhe drejtor i QKMF-së, ky është mirë me na tregu cila është arsyeja e vërtetë e shkarkimit të tij në kohë pandemie”, ka thënë Bulliqi.

Në anën tjetër, kritika për menaxhimin e pandemisë ka adresuar kandidati i PDK-së, Naim Fetahu. Ai tha se Komuna e Podujevës bleu mjete mbrojtëse shumëfish më shtrenjtë se Komuna e Deçanit.

KALLXO.com raportoi se Komuna e Podujevës më 13 mars 2020, ka nënshkruar një kontratë për “Furnizim emergjent me mjete dhe pajisje mbrojtëse për nevoja të shërbimit të Epidemiologjisë – QKMF Podujevë”.

Komuna në krye me Nexhmi Rudarin doli se pagoi për një uniformë njëpërdorimëshe 15 euro ndërsa Deçani 4 euro.

Vlera e përgjithshme e kontratës ishte 18 mijë euro ndërsa tenderimi ishte bërë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Por, dallimin në 11 euro më shtrenjtë se Komuna e Deçanit e ka arsyetuar kandidati i LDK-së për të parin e Podujevës.

“Unë them që në kohë të pandemisë, të gjitha pajisjet që i ka blerë Kosova kanë qenë shumë më shtrenjtë se tash. Ajo ka qenë me procedurë të hapur edhe çmimet e tregut”, deklaroi Rudari në emisionin “Jeta në Komunë”.

KALLXO.com raportoi se në këtë kontratë ishin 4 artikuj me të cilët do të furnizohej Komuna e Podujevës.

Ambienti dhe ujërat e zeza

Liqeni i Batllavës ka më shumë se një vit që ndotet nga ujërat e zeza të cilat rrjedhin nga kanalizimi i fshatit Orllan. Nga ky liqen furnizohet Komuna e Podujevës me ujë të pijës por edhe një pjesë e kryeqytetit.

Për këtë problem, Komuna e Podujevës ishte në dijeni edhe në muajin mars, atë kohë kur u mbajtë debati i parë zgjedhor për të parin e Podujevës. Por, deri më tani ekzekutivi lokal nuk ka ndërmarr asnjë hap për rregullimin e këtij problemi.

 

Kanalizimi që derdhet në Liqenin e Batllavës, Foto:KALLXO.com

Kandidati i PDK-së, Naim Fetahu premtoi bashkëpunim në mes nivelit lokal dhe atij qendror për ta sanuar problemin me ujërat e zeza që derdhen në liqenin e Batllavës.

“Unë mendoj që duhet të ketë një bashkëpunim edhe me nivelin qendror por edhe me ujësjellësin Prishtina, sepe ujin e shfrtytëzon edhe Komuna e Prishtinës, andaj nuk është fer që krejt barra t’i biej Komunës së Podujevës”, tha Fetahu.

Ndërsa, nënkryetari Nexhmi Rudari tha se për këtë problem është një projekt i cili pritet të përfundoj së shpejti.

“Është një projekt për trajtimin e ujërave të zeza të fshatit Orllan, projekti financiohet nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Zvicrës, është në përfundim por ende nuk është përfunduar”, tha ai.

Në një përgjigje, Komuna e Podujevës tha se të gjitha ujërat e zeza do të trajtohen përmes një kolektori.

“Pjesa e banuar e Komunës së Podujevës është e përfshirë rreth 90% në rrjetin e kanalizimit fekal, ku pjesa dërmuese e këtyre ujërave do të shkarkohet nga kolektori, dhe do të trajtohet në impiantin sipas projektit që është në proces të ndërtimit”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Komuna e Podujevës e ka një problem të vazhdueshëm me menaxhimin e mbeturinave.

Bërllog shihet në shumë fshatra e në qytet. 

Nënkryetari i Komunës së Podujevës tha se për këtë telashe është punuar dhe po punohet vazhdimisht.

Bërllogu në Lagjen e Bracalive, Foto:Kallxo.com

Bërllogu nuk është pastruar në lagjen e Bracalive në Podujevë, edhe pse gjendja ishte pasqyruar edhe në debatin e marsit të këtij viti.

Sipas raportit të performancës, vetëm 58% e familjeve të Podujevës kanë mudësi  dhe qasje në kontinjer për t’i hudh mbeturinat.

Kandidati i LVV-së, Shpejtim Bulliqi ka thënë se kompania e mbeturinave në Komunën e Podujevës nuk po e kryen punën si duhet.

“Udhëheqësi i kompanisë së pastrimit vrapon tërë ditën mbas nënkryetarit e nuk merret me punët që paguhet. Ne do të punojmë masksimalisht që ta realizojmë 100% që qytetarët të kenë qasje në kontinjerë”, ka thënë Bulliqi.

Bulliqi premtoi se do të pastrohet edhe lumi LLap por edhe deponitë e tjera në territorin e Podujevës.

Në anën tjetër, kandidati për kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari, tha se po punohet cdo ditë në menaxhimin e mbeturinave.

“Nuk është që nuk pastrohen deponitë e mbeturinave, por ne kemi në plan që nga janri t’i fusin qytetarët në sistem, do t’i sanksionojmë sepse ata që nuk janë në sistemin edhe i gjuajnë mbeturinat, pra ne do t’i kushtëzojmë që mos të mund të marrin shërbime në komunë nëse nuk janë në sistemin e pagesës për mbeturina”, ka thënë Rudari. 

Arsimi

Nxënësit në shkollën në fshatin Obrançë nuk kanë tualete brenda shkollës. Gjendja e tualeteve jashtë objektit shkollor është në gjednje të rëndë ndërsa nxënësit detyrohen që për nevojat e tyre personale të shkojnë dhe t’i shfrytëzojnë të njëjtat tualete. 

Gjendja e tualetit të shkollës në fshatin Obrançë, Foto: KALLXO.com

Pamjet e gjendjes së tualeteve u shfaqën edhe në debatin për Podujevën. 

Përveç tualetve të cilat janë në gjendje të rëndë e njëjta shkollë ka problem me mykun në shkollë dhe banka të demoluara. 

“Banjo në Obrançët do të restaurohen, sigurisht por ne e kemi fut në projekt ndërtimin e shkollës së re, sepse është objekt i vjetër ka mbet prej fshatrave të pakta që kanë objekt të vjetër shkollor”, ishte arsyetimi i Rudarit, për tualetet në shkollën e fshatit Obrançë. 

Shpejtim Bulliqi i VV tha se duhet të rritet përqindja e buxhetit për arsim. 

“Nuk bëhet arsimi me 5.60 përqind të buxhetit total të komunës duhet me rrit buxhetin. Obrançën, shkolla është më e kushtueshme, tualetet në momentin që vijmë merremi, jo vetëm në këtë fshat sepse është gjendje katastrofike”, tha Bulliqi. 

Ndërsa Naim Fetahu nga PDK, tha se do të intervenojnë në mënyrë të shpejtë nëse marrin mandatin për të drejtuar Llapin. 

“Këto do t’i rregullojmë sepse për hir të COVID-19 duhet të intervenojmë shpejtë”, tha Naim Fetahu nga PDK për rregullimin e gjendjes së tualeteve së shkollës në fshatin Obrançë.

Premtimet për barazi gjinore në komunë

Komuna e Podujevës i ka 11 drejtori. Nga to, ka vetëm një grua drejtoreshë. Në anën tjetër, vetëm 31.5% e të punësuarve në Komunën e Podujevës janë gra. 

Tre pretendentet për kryetar komune kanë premtuar se do ta rrisin numrin e drejtoreshave në Komunën e Poduejvës nëse e fitojnë mandatin të dielën e 29 nëntorit.

Nënkryetari Nexhmi Rudari premtoi se nëse e fiton mandatin do t’i emërojë tri gra drejtoresha. 

Në anën tjetër,  premtim për rritje të numrit të drejtoreshës pati edhe kandidati i VV-së.

“Nga 29 nëntori unë premtoj se do të fillojmë me tri e do t’i bëjmë pesë”, tha Shpejtim Bulliqi.

Në anën tjetër, më shumë gra në pozita të drejtoreshëve premtoi kandidati i PDK-së.

“Unë edhe në kuadër të programit tim e kam që do të të jenë 50/50 dhe jo vetëm në drejtori”, tha Naim Fetahu i PDK-së.