Çka i dallon fëmijët inteligjentë nga fëmijët e tjerë?

Psikologu i fëmijëve, Visar Sadiku, ka thënë se ajo çka i dallon fëmijët me inteligjencë të lartë nga fëmijët e tjerë të zakonshëm janë sjelljet dhe ndërveprimi social.

I ftuar në emisionin ‘Kallxo Pernime’, Sadiku tha se zakonisht referenca për t’u takuar me këta fëmijë vjen si rrjedhojë e një vështirësie që shfaqin këta fëmijë.

“Zakonisht janë vështirësi që kanë të bëjnë me komunikimin, zhvillimi i gjithëmbarshëm, pjesa më e madhe e fëmijëve që unë i takoj janë fëmijë nga mosha 0 deri në 3-vjeç. Pastaj vijnë fëmijë me vështirësi emocionale nga mosha 4 deri në 8-vjeç”, tha Sadiku.

“Nuk është shumë e shpeshtë, fëmijët me inteligjencë të jashtëzakonshme janë shumë të rrallë dhe shpeshherë referohen nga prindërit si pasojë e vështirësisë në socializim, interesave që mund të jenë atipike për grupmoshat e tyre, vështirësi në ndërveprimin me të tjerët dhe realisht kur vlerësohen në testet që përdoren, ne e kuptojmë që kanë inteligjencë të jashtëzakonshme dhe si të tillë kanë zhvilluar interesa që janë të zakonshme”, vazhdoi tutje ai.

Konkretisht, sipas Sadikut, ajo çka i bën të dallojnë nga të tjerët, është se fëmijët me inteligjencë të lartë kanë një formë më ndryshe të të menduarit.

“Në njëfarë mënyre kanë një formë të të menduarit të një frekuence që nuk përputhet ndoshta konkretisht me gjithë grupin, për shkak se i kanë interesat më të avancuara. Kanë më shumë kureshtje dhe ndërveprojnë në mënyrë më cilësore dhe çalojnë ndoshta në ndërveprinin social me njëri-tjetrin”, deklaroi Sadiku.

Ai po ashtu vuri në theks nevojën që shteti të organzojë më shumë institucione që merren me këta fëmijë, pasi sipas tij, fëmijët me inteligjencë të jashtëzakonshme adresë e kanë vetëm Institutin “Atomi”.