Çka është infodemia, sipas Lul Rakës?

Mikrobiologu kosovar, Lul Raka, i ftuar në emisionin “Kallxo Pernime” ka folur edhe për një problem tjetër përveç pandemisë.

Duke rrëfyer përvojën e tij, Raka tha se gjatë një vit pandemie është luftuar edhe kundër ‘infodemisë’ që sipas tij, është pandemia e informatave.

Ai e ka cilësuar infodeminë si shumë të rëndë dhe që ndikon në përballjen me pandeminë dhe sëmundjen.

“Te infodemia, informata e rrejshme është që ndikon jashtëzakonisht shumë në përballjen me pandeminë edhe sëmundjen. Infodemia është deklarata ‘nuk ka virus’, mohimi i ekzistimit të virusit. Në momentin që një pjesë e njerëzve sillen që nuk ka virus, ata janë duke kontribu drejtpërdrejt në përhapjen e atij virusi”, tha Raka.

Ai tregoi që ka pasur edhe punëtorë shëndetësorë që nuk kanë besuar që ekziston virusi, duke thënë se ‘është vetëm një grip i thjeshtë’.

Raka ka treguar edhe për përgatitjet e institucioneve për përballjen me pandeminë pas shfaqjes së rasteve të para në Kosovë.

“Për mua, komponenta e përballjes me infodeminë nuk ka qenë pjesë e përgjegjësisë së punës, sepse para se me fillu, qysh kur kanë dalë rastet e prara në Kinë, Instituti me QKUK-në kanë fillu me e përgatitë draftin e planit të gatishmërisë, për me përgatit cilat janë kapacitetet tona, cilat janë opsionet, cilat janë aktivtitet që kemi me u përballë me pandeminë”, ka rrëfyer Raka.