Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Çka është “Ikteri” apo “Sarillëku” tek foshnjet?

“Ikteri” e njohur me terminologjinë popullore “Sarillëku” nuk është sëmundje, por është shenjë e sëmundjes që do të thotë se kur foshnja ka “Sarillëk” shihet nga pamja e lëkurës së zverdhur.

Drejtori i Klinikës së Nenonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare ë Kosovës, Xhevdet Gojnovci, ka sqaruar disa nga simptomat më të shpeshta të paraqitjes së “Ikterit”.

“Ikteri, apo zverdhja, paraqitet te sëmundjet e ndryshme si shenjë që vërehet në lëkuren e të porsalindurit, e cila mund të shkaktohet nga: hiperbilirubinemia fiziologjike, anemia hemolotike apo mospërshtatja e gjakut të babit dhe nënës, policitemia transufuzionet, hematomat, hyperbilirubinemeia e shaktuar nga qumështi i nënës, sëmundjet e ndryshme metabolike, enzimopati, rritja e qarkullimit eterohepatal, barnat, hipoplazioni dhe atrezioni i rrugëve bilare, obstruksioni i rrugëve biliare, fibroza cistike apo sëmundje e cila atakon mushkritë si dhe infeksionet virale”, sqaron Gojnovci për KALLXO.com.

Ai thotë se “Ikteri” apo zverdhja tek foshnjat diagnostifikohet me metodën kutane apo testin e lëkurës si dhe me anë të analizave biokimike apo analizave të gjakut.

“Sarillëku”, sipas tij, trajtohet edhe përmes metodës së ndërrimit të gjakut, por çdo herë duke analizuar shkaktarët e Ikterit.

“Varësisht nga vlerat dhe nga shkaktari, ikteri trajtohet me anë të fototerapisë dhe eksanguinotransfuzionit apo ndërrimit të gjakut, por gjithmonë duhet të kemi diagnostifikim të saktë si paraprakisht”, thotë ai.

Rreziku më i lartë tek foshnjat qëndron në rast se zverdhja në lëkurë është e lartë.

“Nëse vlerat e bilirubinës janë të ulëta nuk paraqet ndonjë problem për të porsalindurin, ndërsa kur vlerat janë të larta pasojat janë të mëdha. 70% të foshnjave me zverdhje janë raste nga hyperbilirubinemit fiziologjik, ndërsa 30% janë raste patologjike”, thotë ai.