Çka do të ndodhë me të burgosurit të cilëve iu gjetën telefoni e kabllot e tjera në qeli?

Dy orë zgjati bastisja nga 57 oficerë në pavijonin gjysmë të hapur, pavijoni numër gjashtë, të Burgut të Dubravës me qëllim që të shihet nëse ka kontrabandë me narkotik apo nëse ka përdorim të telefonave.

Në këtë bastisje që u krye nga Shërbimi Korrektues i Kosovës së bashku me Prokurorinë e Pejës, u gjet një telefon dhe një mbushës telefoni.

Zëvendësdrejtori i SHKK-së, Ismail Dibrani, tregoi për “Kallxo Përnime” se çfarë ndodh në momentet kur një nga të dënuarit kapet me ndonjë gjë të kontrabanduar.

Në rast të tilla, ligji thotë se ndaj personit të dyshuar që potencialisht ka poseduar, shpërndarë apo shitur drogë brenda të gjitha qendrave korrektuese, të merret masa e burgimit prej 15 vite.

E nëse gjenden narkotikë apo edhe shkelje të tjera që kanë kryer të dënuarit e vendosur brenda pavijoneve gjysmë të hapura, siç është ai numër gjashtë i Burgut të Dubravës, atëherë ky person do të llogaritet sikurse të ishte pranim i ri.

Ndaj personit në fjalë të gjitha procedurat, sipas Dibranit do të fillonin nga zero, e nëse ai apo ajo do të tregonte sjellje të mirë, do të angazhohej në punë do të shqyrtohej edhe mundësia që personit që ka bërë shkelje të kthehet në pavijon gjysmë të hapur, diçka që është shumë vështirë të ndodhë.

“Në momentin kur një i dënuar kapet me kontrabandë, ai duhet të fillojë një formë të planifikimit të dënimit prej zeros, do të thotë kthehet në regjimin brenda aty, pastaj duhet të tregojë sjellje korrekte për t’u kthyer prapë, kështu që është shumë e vështirë të kthehet në këtë qeli ku jemi duke kryer bastisjen” – tha Dibrani.

Përpos këtij telefoni, zëvendësdrejtori i SHKK-së tha se janë gjetur edhe gjëra të tjera të palejueshme të cilat cenojnë sigurinë e institucionit, për të cilat tha se janë larguar dhe ndaj personave përgjegjës do të iniciohen procedurat disiplinore.

Përpos Dibranit, pjesëmarrës ishin edhe zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë së Pejës, Ersan Qavolli, Sahide Gashi, prokurore e Krimeve të Rënda dhe prokurorja Arlinda Nallbani Gacaferri, të cilët u autorizuan nga kryeprokurori, Agim Kurmehaj.

Bashkëpunues ishin edhe hetues të Drejtorisë për Hetim të Narkotikeve në Pejë, krim-teknika e edhe njësiti i qenve, K9, nga Policia e Kosovës.

Para se të fillonte bastisja, në hapësirat e zyrës së SHKK-së përball 57 oficerëve, Dibrani e Qavolli ua shpjeguan oficerëve si do të ndodhte e gjithë bastisja, mirëpo para se të ndahen detaje të tjera me gardianët, këtyre të fundit iu morën telefonat.

E kjo, sipas Dibranit është bërë me qëllim që të mos ketë dyshime se ndonjëri nga gardianët do të informonte ndonjë person për aksionin që pritej të zhvillohej në Dubravë.

“Fillimisht oficerët kanë qenë të obliguar të dorëzojnë të gjithë telefonat për të mos dyshuar që ndonjëri prej tyre mund të informojë dikë për aksionin i cili do të zhvillohet” – u shpreh zëvendësdrejtori i SHKK-së.

Telefonat u morën e grupet filluan të ndahen. Nga gardianët pjesëmarrës u bënë gjithsej pesë grupe, katër prej të cilëve do të intervenonin nga brenda e një nga jashtë.

Grupet nga brenda u obliguan që në detaje të inspektojnë qelitë e burgut e edhe të dënuarit, ndërsa grupi i pestë ishte nën përkujdesje që asnjëri nga të dënuarit të mos kishte mundësi të ikte në rast se do të tentohej diçka e tillë.

Dy prej prokurorëve pjesëmarrës në bastisje iu nda nga një grup, e një prej tyre u detyra që të monitoronte dy grupe.

Udhëheqës i të gjithë ekipit u përcaktua që të jetë udhëheqësi për siguri në SHKK, Besar Gashi.

Gardianëve iu kërkua që mbi të gjitha të respektojnë kodin e etikës dhe të respektojnë të drejtat e gjithsecilit pa dallim, si të stafit ashtu edhe të drejtat e të burgosurve.