Rrahja e të moshuarës në Pejë

Çka deklaruan në Polici infermieret e dyshuara për rastin në qendrën e të moshuarve në Pejë?

Një grua e moshuar, e cila ishte duke qëndruar në qendrën për të moshuar në Pejë, është incizuar duke u keqtrajtuar ndërsa për rastin tashmë janë arrestuar tri infermiere të qendrës “Orenda”.

Avokati i njërës nga të dyshuarat (R.K.), Adem Gorani, ka folur për KALLXO.com në lidhje me klienten e tij.

I caktuar sipas detyrës zyrtare, Gorani tregoi se klientja e tij e ka incizuar dhunën fizike ndaj të moshuarës.

“Ajo ka pranuar që e ka incizuar, ka thënë se ajo që shihet duke e rrahur i ka kërku me incizu. Ajo ka deklaruar edhe se ka pasur ndërmend që videon me ia dërgu shefit. Kurrgjë tjetër s’ka thanë” – tha Gorani për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe avokatin e të dyshuarës kryesore (A.P.), e cila në videon e publikuar shihet duke ushtruar dhunë fizike ndaj të moshuarës.

Avokati Veton Berisha është caktuar në këtë rast në bazë të detyrës zyrtare. Ai nuk pranoi të tregojë se çka deklaroi në Polici e mbrojtura e tij.

“Nuk mund të deklaroj asgjë për momentin. Më vonë do të deklarohet vetë ajo” – tha avokati Berisha.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë edhe me avokaten e të dyshuarës së tretë të arrestuar sot, por e njëjta nuk ka qenë e qasshme.