Ilustrim

Civilët po e vuajnë barrën “katastrofale” në Liban, alarmon OKB-ja

Civilët po bartin barrën e gjendjes “përnjëmend katastrofale” në Liban, ka alarmuar një zyrtar i Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar respektim të rregullave të luftës pothuajse dy javë pasi Izraeli nisi një ofensivë të madhe kundër grupit të armatosur libanez, “Hezbollah”, raporton Reuters më 05.10.2024.

Me rreth një milion persona të zhvendosur në Liban, Imran Riza, koordinator i misionit humanitar të OKB-së, ka thënë se shpejtësia e zhvendosjes së një hiseje të madhe të popullsisë prej 23 shtatorit ka tejkaluar edhe skenarët më të errët. Ai ka thënë se gjithashtu është dëmtuar jashtëzakonisht shumë infrastruktura civile.

“Çfarë kemi parë prej 23 shtatorit është përnjëmend katastrofale”, ka deklaruar ai në një intervistë për Reutersin. Ai i është referuar ditës kur Izraeli përshkallëzoi dramatikisht bombardimet ajrore kundër Libanit, duke lënë të vdekur më shumë se 500 persona brenda një dite të vetme, tregojnë të dhënat e Qeverisë libaneze.

“Niveli i traumës, niveli i frikës në mesin e popullsisë, ka qenë jashtëzakonisht ekstrem”, ka thënë ai.

Izraeli ngulmon se fushata e tij ka për qëllim grupin e armatosur dhe të mbështetur nga Irani, “Hezbollah”, që të sigurojë mjedis të sigurt për izraelitët e evakuuar nga Izraeli verior në afërsi të kufirit me Libanin si rezultat i sulmeve të vazhdueshme pothuajse njëvjeçare të “Hezbollahut” kundër territorit izraelit.

Qeveria libaneze thotë se janë zhvendosur rreth 1.2 persona si pasojë e sulmeve izraelite në Libanin jugor. “Ka njerëz që po zhvendosen prej një vendi në tjetrin, duke menduar se po shkojnë në një vend të sigurt, dhe pastaj sulmohen edhe aty”, ka thënë Riza, duke shtuar se 97 pjesëtarë të personelit mjekësor dhe të ndihmave janë vrarë deri tani. Shumica prej tyre gjatë dhjetë ditëve të fundit.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com