Çitaku: Serbia po përpiqet edhe më tej ta njollosë të vërtetën për Kosovën dhe UÇK-në

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konferencë për media, ka reaguar lidhur me raportimet e fundit për planifikimin e ekzekutimit të ish-senatorit zviceran Dick Marty nga shërbimet sekrete serbe.

Ajo tha se kjo tendencë e ri-konfirmon faktin që Serbia po përpiqet edhe më tej ta njollosë të vërtetën për Kosovën dhe UÇK-në.

Çitaku tha se është edhe më shqetësuese në këtë rast, “vërtetimi i manipulimit që i është bërë ish-senatorit Marti nga shërbimet sekrete serbe, të cilat e kanë furnizuar atë me informata të fabrikuara dhe dosje të prodhuara në kabinetet politike në Beograd dhe Moskë, mbi bazën e të cilave është ngritur edhe Gjykata Speciale.”

“Nëse një orkestrim për eliminim fizik të Martit nga shërbimet sekrete serbe është evident, vetëm me qëllim që të përpiqen të njollosin edhe më tej të vërtetën tonë, është krejt e vërtetuar se një orkestrim për njollosjen e luftës së UÇK-së nga po të njëjtat struktura dhe e njëjta mendësi, përmes senatorit Marti ka qenë agjendë e mirë organizuar dhe e qëllimshme, e cila s’ka pasur të bëjë asgjë as me të vërtetën, as me drejtësinë”, tha ajo.

Çitaku shtoi se kjo përbën një absurd për të vërtetën dhe drejtësinë, sepse sot sipas saj, taksapaguesit evropian paguajnë për një gjykatë e cila është ngritur mbi dezinformatat dhe fabrikimet e shërbimeve sekrete serbe, shtet i cili sipas saj ka kriminelë lufte me emër e mbiemër që janë të pandëshkuar për krimet e tyre. Sipas saj, të njëjtit i mundësohet të arrijë deri aty sa të fabrikojë e të manipulojë me dëshmi të rreme për krime lufte të UÇK-së.

Çitaku konsideron se  kjo situatë e krijuar, është një shkëndijë fillestare për Kosovën dhe Bashkimin Evropian për të shtruar disa pyetje për të cilat ish-senatori Marti do të duhej të sqarohej.

“Cilat kanë qenë rrethanat që kanë nxitur apo detyruar z. Marty që të hetojë pretendimet e fabrikuara nga shërbimi sekret serb dhe ai rus për trafikimin e organeve nga UÇK-ja? Kush dhe cilat shërbime sekrete i kanë dhënë z. Marty dëshmi e prova, mbi të cilat ai ka ardhur në konstatimet e tij për krimet e luftës së UÇK-së? A ka qenë i kërcënuar apo shantazhuar atëherë, dhe a ndihet i manipuluar sot, pasi që vetë jeta e tij është në rrezik, nga po të njëjtat struktura që luajnë edhe rolin e kriminelit edhe të viktimës?”, thekson Çitaku.

Ajo tha se kjo çështje vë në pikëpyetje tërë klauzolën e aktakuzave të ngritura ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të duhej të prodhonte reflektim edhe tek institucionet e Kosovës, të cilat që nga raportimi i këtij zhvillimi jashtëzakonisht të rëndësishëm, ende nuk kanë pasur kurrfarë qëndrimi.

“Nuk është fjala për çështje historike, politike, e identitare. Fjala është për bazën mbi të cilën janë ngritur akuza konkrete. Dhe kjo bazë, e ka një adresë në Beograd e një në Moskë. E ka një procedurë, shantazhin. Si dhe një qëllim, dëmtimin e imazhit të Kosovës”, tha ajo.

Gjatë ditës së sotme ka reaguar edhe Agjencia serbe e Inteligjencës (BIA) duke i dërguar një letër Shërbimit Federal të Inteligjencës Zvicerane (FIS), në të cilën dënon dhe mohon ashpër pretendimet për planifikimin e vrasjes së ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.

BIA i quan “pretendime dashakeqe për përfshirjen e shërbimeve të sigurisë serbe në planifikimin e vrasjes së kujtdo” raportimet e mediave për këtë çështje.