Çitaku rreth deklaratave të Daçiq e Vulin: Heshtja ndërkombëtare është shurdhuese

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku ka deklaruar se heshtja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj deklaratave të zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë, është shurdhuese.

Çitaku ka përmendur deklaratën e fundit të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, ndaj serbëve që dinë për vendodhjen e varreve të shqiptarëve në Serbisë, si dhe gjuhën linquese të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.

“Ministri i Jashtëm i Serbisë kërcënon publikisht serbët të cilët janë të gatshëm të ndajnë informacione rreth vendndodhjeve të varreve masive në Serbi Pastaj, Ministri i Mbrojtjes i Serbisë përdor një gjuhë nënçmuese kundër shqiptarëve në një deklaratë zyrtare. Mbi 1000 shqiptarë janë zhdukur që nga përfundimi i luftës në ‘99. Heshtja e bashkësisë ndërkombëtare është shurdhuese!”, ka shkruar ambasadorja në Facebook.

Çitaku ka shpërndarë edhe letrën që ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ia ka drejtuar Ambasadorëve të Quintit, lidhur me deklarimet e fundit të zyrtarëve të qeverisë së Serbisë, për shqiptarët e vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

Në këtë letër, ministrja kosovare ka shkruar se Serbia po minon frymën e dialogut, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe proceset e një pajtimi të mundshëm pas marrëveshjes së Uashingtonit dhe dialogut aktiv në Bruksel.

“Përderisa shumë më tepër se një mijë shqiptarë të Kosovës janë të zhdukur, unë ndjehem e detyruar të shpreh zhgënjimin tim të thellë për një indiferencë totale midis komunitetit ndërkombëtar në dënimin e gjuhës së turpshme të Qeverisë serbe kundër viktimave dhe anëtarëve të familjeve të tyre të luftës së fundit në Kosovë”, thuhet mes tjerash në këtë letër.

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, në një intervistë ka thënë: “Të mos merremi me amerikanët, gjermanët dhe turqit, më thoni ju mua (duke i’u drejtuar udhëheqësit të emisionit) se çfarë duhet të bëjmë me serbët, të cilët i tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve, flasin budallallëqe të ndryshme dhe u tregojnë atyre se ku janë të varrosur shqiptarët në të gjithë Serbinë”.

Kurse, ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin, ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes së arritur të premten mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku thuhet se Porti i Durrësit do t’i takojë Kosovës.

Vulin i është drejtuar shqiptarëve me termin ofenduar “shiptari”, ka deklaruar se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po vazhdon me përpjekjet e tij për të krijuar një “Shqipëri të Madhe”.