Çitaku: PDK do të inicoj mocion për shkarkimin e Bordit të RTK-së

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se Grupi i Parlamentar i kësaj partie, javën e ardhshme do ta dorëzojë mocionin për shkarkimin e Bordit të RTK-së, pas publikimit të artikullit “Slobodna Bosna” në mediumin publik.

Kështu është bërë e ditur në një komunikatë të PDK-së të lëshuar sot më 27.07.2024 në të cilën thuhet  se Çitaku e ka konsideruar  se RTK ka dështuar t’u qëndroj besnik parimeve të gazetarisë, pasi sipas saj nuk i’u rezistoi presioneve politike të partisë në pushtet.

“Kjo nismë është e pandalshme, emergjente dhe në funksion të mbrojtjes së fjalës së lirë dhe lirisë së mediave. RTK është e publikut dhe nuk duhet të shndërrohet në instrument të pushtetit për të projektuar, organizuar dhe transmetuar shpifje dhe të pavërteta kundër mediave dhe kolegëve të tyre gazetarë me qëllim që ti shërbejë partisë në pushtet në betejën e saj të dëshpëruar për të luftuar fjalën e lirë dhe të vërtetën që publiku duhet ta dijë”- thuhet ndër të tjera në komunikatën e PDK-së.

Sipas Çitakut RTK nuk e ka më kredibilitetin e transmetuesit publik nëse nuk merren  masa ndaj drejtuesve të tij.

Sipas Çitakut, artikulli i “Slobodna Bosna”, i publikuar nga RTK, ka mundur të shkruhet në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Lajmet e rreme të RTK-së të cilat citonin po ashtu një medium boshnjak artikulli i të cilit mund të jetë shkruar në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, përbëjnë cenim direkt të sigurisë dhe jetës së gazetarëve të këtyre mediumeve nga njëra anë, por edhe shpërfaqin, nga ana tjetër, fushatën qeveritare kundër mediave dhe fjalës së lirë, si një vlerë kushtetuese dhe demokratike e shtetit dhe shoqërisë tonë”- kishte thënë Çitaku.

Tutje në komunikatë thuhet se “PDK vlerëson se përfshirja e zyrtarëve të AKI-së, duhet të hetohet edhe nga Porkuroria Speciale sa më parë”.

“Në këto 4 vite, nuk ju mjaftuan kërcënimet, fyerjet dhe shpifjet ndaj gazetarëve, vendimet për mbylljen e mediumeve apo edhe kapja dhe kontrolli i Komisionit të Pavarur të Mediave. Por betejat e tyre për shtypjen e zërave të informimit të të vërtetës te publiku e morën një trajtë tejet shqetësuese, të rrezikshme dhe të pashembullt, duke e përdorur RTK-në si transmetuesin publik, për të thurur trillime, shpifje dhe të pavërteta ndaj disa prej mediave të respektueshme në Kosovë, vetëm me qëllimin që të dezinformojnë publikun, të cenojnë besueshmërinë e publikut ndaj këtyre mediave duke i paraqitur pa asnjë bazë – si instrumente që financohen nga Serbia dhe Rusia”- ka thënë Çitaku

Lidhur me publikimin e artikullit të mediumit nga Bosnja e Hercegovina në portalin rtklive dhe më pas në edicionin e lajmeve të RTK-së ka pasur reagime të shumta.

Kjo situatë ka shtyrë bordin e RTK-së të zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme, gjatë të cilës është marrë vendim të formohet një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të marrë masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së.

Raportimet e KALLXO – LINK