Çitaku: Mohimi i masakrës së Reçakut nga Vuçiqi është çmenduri

Ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për masakrën e Reçakut.

Vuçiq sot tha se kjo masakër është një “trillim i sajuar nga William Walker”. E këtë Çitaku e cilëson si çmenduri të plotë.

“Presidenti i Serbisë sapo deklaroi se masakra e #Recak ishte një krim i fabrikuar. Kjo është çmenduri e plotë! Reçak ishte një tragjedi e shpalosur para syve të botës dhe zbuloi egërsinë e vërtetë të regjimit #Serbian në #Kosovë. Mohimi është i pakonkurrueshëm. Turp për Serbinë!”, ka shkruar ajo në Twitter.

Reagimi i Çitakut pasi Gjykata në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Sot, Gjykata në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burg ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq.

Ai është gjetur fajtor për një deklaratë të dhënë vitin e kaluar me të cilën e quante trillim masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999 ku forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

Në korrik të këtij viti, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë kundër ish ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviq për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.

Sipas Prokurorisë Todosijeviq në cilësi të Ministrit me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se Todosijeviq në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, ka thënë se masakra e Reçakut ishte Trillim.

Pas kësaj deklarate, kryeministri Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar Todosijeviqin nga pozita e ministrit.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën ndër masakrat më të tmerrshme në vendin tonë. 20 vjet më parë në Reçak u vranë dhe u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Ky gjenocid, tronditi gjithë opinion ndërkombëtar.

Ambasadori William Walker, e cilësoi ngjarjen në Reçak si krim kundër njerëzimit. Madje, thuhet se masakra e Reçakut ishte pika e kthesës për luftën dhe çlirimin e Kosovës.

Reçaku, fshati që e vizitoi vdekja dhe e harroi drejtësia

.