
Çitaku: Ka një Albin Kurt në opozitë, dhe një Albin Kurt tjetër në Qeveri
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku në një konferencë për media ka akuzuar, kryeministrin Albin Kurti për dështim në diplomaci.
Çitaku tha Kurti po vazhdon ta mbrojë Berishaj dhe sipas saj, po e cenon përmendjen e UÇK-së e po i thur elozhe Ivanoviqit.
“Çka ka dhe çka s’ka ditëve të fundit dhe jo vetëm nga Qeveria Kurti? Ka mbrojtje të pakusht për Martin Berishajn, nuk ka sjellje të tij para drejtësisë. Ka mohim të fjalës për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe elozhe për Oliver Ivanoviqin. Ka çnjohje dhe ngecje në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, s’ka procedim të aplikacionit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ka një Albin Kurt në opozitë, dhe një Albin Kurt tjetër në Qeveri”- ka deklaruar ajo.
Nënkryetarja e PDK-së sërish bëri thirrje që ambasadori Berishaj të shkarkohet nga detyra dhe ka kërkuar përgjigje nga kryeministri i vendit për pyetje të cilat siç tha ajo, i ka parashtruar tash e një vit.
“Tek Afera Martin Berishaj, shkarkimi nuk mjafton. Të dhënat e publikuara nga mediumet e ndryshme ndërkombëtare duhet të jenë alarm për institucionet e Republikës së Kosovës. Për më tepër, sot, më shumë se kurrë, Kryemininisti duhet t’u japë përgjigje një vargu të pyetjeve të cilat i kemi parashtruar tash e një vit. Si i është dhënë shtetësia Martin Berishajt brenda natës? Si e ka marrë çertifikatën e sigurisë nga AKI? A janë përdorur 1 milion e 470 mijë euro për të financuar fushatën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo”- u shpreh ajo.
Çitaku thotë se Qeveria Kurti ka dështuar edhe në politikën e jashtme pasi sipas saj, nuk po mirëmbahen dhe kultivohen raportet e vendeve që e kanë njohur Kosovën më parë.
“Dje, Ministri i Jashtëm i Togos njoftoi se kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, kur ne prisnim njohje të reja të vendit tonë. Por, kjo nuk është pjesa më e dhimbshme. Pjesa e dhimbshme është që, edhe në një organizatë si Këshilli i Evropës, ku kemi më shumë se dy të tretat e votave të nevojshme, edhe përkundër përjashtimit të Rusisë dhe Bjellorusisë, aplikimi i Kosovës vazhdon të mbetet i patrajtuar. Që nënkupton, se ne nuk po arrijmë të mirëmbajmë dhe kultivojmë raportet as me vendet që na kanë njohur”-shtoi ajo.
Çitaku duke akuzuar kryeministrin Kurti përmohim të fjalës së kryetarit të Reçakut, ish luftëtar i UÇK-së, Adem Ramadani.
“Në përvjetorin e Masakrës së Reçakut, Qeveria ia mohoi fjalën Kryetarit të Reçakut, ish-luftëtarit të UÇK-së, Adem Ramadani. Ndërkaq, të nesërmen, Kryeministri Kurti thuri elozhe për Oliver Ivanoviqin. Kryeministër, nuk fshihet dhe nuk retushohet historia si komunikatat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qëndrimet tuaja në Facebook”- u shpreh nënkryetarja e PDK-së.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj që nga prilli i vitit 2022 është diskutuar në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar një shumë të parave tek një kompani private në Mal të Zi.
Sipas mediumit slloven, kompania private është në pronësi të Martin Berishajt.
Berishaj, ka mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek politikani slloven.
Ndërkaq, sa i përket çnjohjes nga Togo, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se se çnjohja nga Togo ka ndodhur në vitin 2019, para se të vinte qeveria Kurti.
“Të gjithë të ekzaltuarve rreth “ç’njohjes” së Togos dhe propagandës së Daçiçit dua t’iu rikujtoj që ajo ka ndodhur në vitin 2019, pra shumë kohë para se vinte në detyrë kjo qeveri. Më e pakta që do të duhej të ndodhte pas një propagande të tillë të përsëritur dhe fushatës kundër Kosovës është qëndrimi unik ndaj propagandës së Daçiçit dhe Vuçiçit, jo vetëm rreth “ç’njohjeve”- ka shkruar ajo në Facebook.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti, dje përmes një video-mesazhi ka theksuar se pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës.Në këtë video, Kurti e konsideroi Ivanoviqin si një politikan serb, dhe një person të përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij.