Çitaku jep interpretim për mospërfshirjen e marrëveshjes së Ahtisaarit në vendimin e Biden

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku ka dhënë një interpretim se pse në urdhërin e Administratës së presidentit amerikan Joe Biden në lidhje me Ballkanin Perëndimor, nuk është përmendur marrëveshja e ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaarit.

Çitaku ka shkruar në Facebook se kjo është bërë pasi një formulim i tillë do t’ua pamundësonte të gjithë zyrtarëve serbë hyrjen në ShBA.

“Ky urdhër është në fuqi që nga viti 2001 (është amandamentuar ndërkohë) dmth, urdhëri si i tillë është nënshkruar nga ish Presidenti Bush. Presidenti Biden vetëm e ka ripërtrirë atë, duke i shtuar marrëveshjen e Prespas dhe duke përfshirë edhe Shqipërinë (ndonëse urdhëri i adresohet Ballkanit Perëndimor, ai i vitit 2001 nuk e përmend Shqipërinë në mënyrë eksplicite)”, thuhet në publikimin e saj.

Administrata e presidentit Joe Biden ka zgjeruar fushëveprimin e aktit Bllokimi i pronës dhe ndalimi i hyrjes në Shtetet e Bashkuara të një numri personash që kontribuojnë në destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor.

Sipas vendimit të së martës, masa tani përfshin edhe Shqipërinë, ndërkohë që deri më tani kishte të bënte vetëm me vendet e ish-Jugosllavisë.

Më poshtë e gjeni të plotë publikimin e Vlora Çitakut në Facebook:

Diçka për urdhërin ekzekutiv të Presidentit Biden.

Ky urdhër është në fuqi që nga viti 2001( është amandamentuar ndërkohë) dmth, urdhëri si i tillë është nënshkruar nga ish Presidenti Bush.

Presidenti Biden vetëm e ka ripërtrirë atë, duke i shtuar marrëveshjen e Prespas dhe duke përfshirë edhe Shqipërinë ( ndonse urdhëri i adresohet Ballkanit Përendimor, ai i vitit 2001 nuk e përmend Shqipërinë në mënyrë eksplicite).

Arsyeja pse nuk është shtuar marrëveshja e Presidentit Ahtisari (interpretim i imi ky) është se një formulim i tillë do t’ua pamundësonte të gjithë zyrtarëve Serb hyrjen në SHBA.