Çitaku-Daçiqit: Kurti ka qenë i burgosur politik kur ju keni qenë ministër
Ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i është përgjigjur deklarimeve të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq se Albin Kurti ka lobuar për “Shqipërinë e Madhe”.
Çitaku ka thënë se Kurti ka deklaruar disa herë se është pro dialogut.
“Kjo dhomë nuk është gjykatë për politikanët tonë. Kurti i ka fituar zgjedhjet në Kosovë, ai ka deklaruar disa herë shumë qartë se është pro dialogut dhe jam e lumtur që kolegu im nga Serbia po e mbron flamurin e Kosovës. Dëshiroj të ju siguroj të gjithë juve se flamuri i Kosovës do të qëndrojë në zyrën e kryeministrit të Kosovës”, ka thënë ajo.
Ajo para të pranishmëve theksoi se Kurti ka qenë i burgosur politik kur Daçiq ishte ministër.
“Kolegu im serb harroi të përmend një detaj të rëndësishëm të biografisë së Albin Kurtit. Ai ishte i burgosur politik në Serbi kur ai ishte ministër”, ka shtuar ambasadorja.