Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Cili ishte takimi i parë i gazetarëve të huaj me ushtarët e UÇK-së?

Nora Visoka Weller ka rrëfyer për herë të parë se si ishin takuar gazetarët e huaj që kishin ardhur në Kosovë, në vitin 1997, me ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Visoka Weller, që gjatë luftës në Kosovë ka punuar si përkthyese për misionet ndërkombëtare, ka thënë se menjëherë qysh në vitin 1997 në Kosovë kishin filluar të vijnë gazetarë të huaj.

“Gazetarët e huaj, sendin e parë që kanë dashtë me e ditë, është se a është UÇK-ja në Kosovë. Në atë kohë, një pjesë e vogël e gazetarëve kishin qëndruar në hotelin që quhej ‘Park’, tek Parku i Qytetit në Prishtinë”, tha ajo.

“Filloi që tensionimi në Kosovë me qenë i dukshëm, shkollat ishin të mbyllura që disa vite, prindërit jashtë punës, krejt qytetarët e Kosovës jashtë punës. Dihej që situata e tillë nuk mund të vazhdonte në atë mënyrë”, ka thënë Nora Visoka Weller.

Tutje, ajo ka treguar se si një gazetar e kishte një informacion që në afërsi të fshatit Llaushë të Skenderajt qëndronte UÇK-ja.

“Pas disa gotave verë, një gazetar tha: ‘Unë kam një informacion por nuk e di nëse është i vërtetë’. Natyrisht, gazetarët tjerë morën shënime për lokacionin që të nesërmen të shkojmë në atë lokacion. U nisëm dy grupe dhe afër fshatit Llaushë i gjetëm ‘tarabat’ për të cilat kishte folur gazetari. Kjo ishte në fund të tetorit 1997.  Vazhduam nga ato ‘taraba’ edhe për disa kilometra dhe në fund u ndalëm dhe aty dolën dy ushtarë të UÇK-së. Nuk kanë qenë me uniformë ushtarake, por me uniformë të zezë”, ka thënë Nora Visoka Weller.

Ajo ka treguar se aty kanë qëndruar rreth 15 minuta dhe më pas ushtarët kanë kërkuar që të largohen prej aty.

“Qëllimi i gazetarëve ishte që të tregojnë se ishte UÇK-ja dhe ata i panë ushtarët”, shtoi ajo.

Nora Visoka Weller është avokate në Universitetin e Cambridge. Aty e ka përfunduar Juridikun dhe Arkeologjinë, ku ka specializuar në Mbrojtjen e Trashegimisë Kulturore dhe të Luftës.

Në moshën 18-vjeçare, Nora fillon punën si përkthyese me gazetarë të huaj, në pothuajse të gjitha zonat e luftës dhe përfundon duke punuar në misionin diplomatik të Ambasadës amerikane.

Ndërkohë, ajo do të trajnohej në teknika të ndryshme të mbrojtjes dhe të sigurisë, mbikëqyrjes, si të vozistë vetura 6 tonë të rënda në zona të luftës.

Puna e saj gjatë luftës ndërpritet në shtatorin e vitit 1998, kur makina e blinduar e Ambasadës bie në një minë kundër-tank.

Nora lëndohet rëndë dhe shërimi i saj zgjat disa muaj.

Fati deshi që automjeti ishte i blinduar dhe Nora shpëton. Ajo rikuperohet dhe 22 vite pas vjen këtu për të na treguar historinë e një prej disa të rinjve nga Prishtina, që punuan në misione të huaja.