Presidenti kinez Xi Jinping, djathtas, dhe presidenti rus Vladimir Putin pozojnë për një foto përpara bisedimeve të tyre në Pekin, Kinë, të premten, 4 shkurt 2022. (Alexei Druzhinin, Sputnik, Foto nga pishina e Kremlinit nëpërmjet AP)

Cili ishte qëllimi i manovrave ushtarake ruso-kineze?

Teksa ushtria ruse nisi javën e kaluar manovrat ushtarake që nga të gjithë u panë si fryrje e muskujve para Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidenti rus Vladimir Putin e bëri të qartë se cili vend po i qëndron në krah Moskës, analizon televizioni amerikan CNN.

Në video-adresimin para nisjes së manovrave, Putini deklaroi se 15 shtete “mike” do të merrnin pjesë në atë që Moska pretendon se do të jenë ushtrime ushtarake me 90 mijë trupa dhe me më shumë se 500 anije e fluturake të mobilizuara për manovrat më të mëdha në tridhjetë vitet e fundit.

Por vetëm Kina do të merrte pjesë krah Rusisë, deklaroi Putini.

“Ne po i kushtojmë rëndësi të veçantë fuqizimit të bashkëpunimit me vendet tona mike. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sot në kulmin e tensioneve gjeopolitike në ngritje anembanë botës”, deklaroi lideri rus.

Të quajtura si “Oqeani-2024”, manovrat ushtarake shtatë-ditore që përfunduan të hënën janë seria e fundit e ushtrimeve dhe patrullimeve të përbashkëta ushtarake ndërmjet Rusisë dhe Kinës në kuadër të bashkëpunimit të shtuar ushtarak ndërmjet presidentit Putin dhe homologut kinez, Xi Jinping, madje në kohën kur Rusia po përballet me agresionin e saj ndaj Ukrainës.

Kina i dërgoi shumë luftanije dhe 14 fluturake në ujërat e bregut të Lindjes së Largët të Rusisë për manovrat, ka bërë të ditur Ushtria ruse. Pos kësaj, forcat ruse dhe kineze muajin e kaluar thelluan bashkëpunimin e tyre strategjik gjatë manovrave të përbashkëta detare në ujërat afër Japonisë dhe mbajtën patrullimin e pestë të përbashkët detar në Paqësorin verior.

Krejt këto pasuan manovrat e përbashkëta verore, përfshirë afër Alaskës – ku forcat amerikane dhe kanadeze interceptuan bombardues rusë dhe kinezë në aksion të përbashkët për herë të parë – dhe në Detin e Kinës Jugore, një rrugë kritike detare që pretendohet prej Pekinit në kohën kur janë ngritur shpejt tensionet gjeopolitike.

Koordinimi është përcjell me shqetësim në ngritje në Uashington, që ka disa muaj që e akuzon Kinën se po fuqizon sektorin e mbrojtjes ruse me eksporte si mjete makinerie dhe pajisje miktroelektronike, akuza që janë hedhur poshtë nga Pekini derisa vazhdon të pretendojë neutralitetin për luftën në Ukrainë.

Krejt këto zhvillime vijnë derisa lufta në Ukrainë ka nisur t’i përshkallëzojë kërcënimet, me Putinin që ka paralajmëruar liderët e NATO-s se heqja e kufizimeve Kievit për përdorimin e raketave perëndimore me rreze të gjata për ta sulmuar Rusinë, do të ishte akt lufte.

Ekspertët thonë se manovrat e fundit ushtarake ndërmjet Rusisë dhe Kinës janë pjesë e një bashkëpunimi të rritur ushtarake që ka nisur para një dekade ndërmjet dy vendeve.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com