Cili ishte mesazhi i ShBA-së dhe BE-së për dialogun?

Për tri ditë në Kosovë qëndruan emisari i BE-së, Miroslav Lajçak si dhe emisari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor të cilët takuan liderët shtetëror si dhe krerët e partive politike në Kosovë.

Kryetema e këtyre takimeve ishte asociacioni, e pas çdo takimi u përmend fakti se ‘integriteti, sovraniteti dhe rendi kushtetues janë të pacenueshme’.

Angazhimi i Lajçak dhe Escobar në procesin e dialogut, nga njohësit e çështjeve politike në vend po shihet si momentum i rëndësishëm i cili duhet të shfrytëzohet urgjentisht nga Kosova.

Kjo vizitë e cila është e dyta në më pak se tetë muaj, nuk është parë si presion ndaj Kosovës për të filluar zbatimin e Marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

‘Asociacioni- gogol populist’

Analisti politik, Imer Mushkolaj në një prononcim për KALLXO.com tha se as BE-ja e as SHBA-të nuk përçuan mesazhin se do të imponojnë marrëveshjen.

“Nuk jemi në fazën e imponimit për krijimin e asociacionit, më shumë janë në fazën e dhënies së ideve në mënyrë që palët pastaj të negociojnë dhe të arrin një marrëveshje. Unë nuk e përjashtoj mundësinë që të arrihet një ujdi për krijimin e një organizimi në kuptimin e të drejtave serbe që nuk do të mund të quhej asociacion”, tha ai.

Ndërsa, analisti Artan Muhaxhiri ka thënë se tema e asociacionit është shndërruar në një ‘gogol populist’.

“Në vend që ai të sfidohet në mënyrë diplomatike dhe me ekspertizë shumështresore, hiperbolizimi i tij grotesk nga ana e lidershipit tonë ka bërë që – paradoksalisht – pesha politike t’i rritet deri në papërballueshmëri”, tha ai për KALLXO.com.

Sipas tij, garancitë amerikane dhe evropiane për përjashtimin e kompetencave ekzekutive i bëjnë të palogjikshme e të pabazuara arsyetimet insistuese të Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti për rreziqet që vijnë nga skenari i tillë – pasi nuk ekziston.

“Refuzimi bile edhe i diskutimeve për këtë çështje ka ndikuar në fuqizimin e presioneve nga aleatët tanë esencialë – SHBA-të, të cilët në vazhdimësi i kanë qartësuar orientimet: Asociacioni do të jetë nën ombrellën kushtetuese dhe institucionale të Kosovës, rrjedhimisht pa mundësi të shndërrimit në një kategori të re ekzekutive. Edhe BE-ja e ka të njëjtin qëndrim”, tha tutje ai.

Dje në një konferencë për media, emisari Escobar ka thënë se nuk kanë ardhur për të imponuar modele për asociacionin.

“Nuk duhet të jenë modele që minojnë sovranitetin e Kosovës dhe funksionalitetin. Pra, ne duhet të gjejmë një prej këtyre modeleve. Ato mund të gjenden, mund të negociohen dhe palët mund të pajtohen. Ky është qëllimi i dialogut. Nuk është qëllimi i SHBA-së të imponojë një ose të zgjedhë një model në emër të palëve. Megjithatë, ne mund të ndihmojmë, nëse ka modele që ata do të duan të eksplorojnë”, ka thënë Escobar.

Ndërsa emisari Lajçak tha që Kosova nuk duhet ti frikësohet marrëveshjes së asociacionit.

“Mos u frikësoni nga diçka që nuk ekziston dhe askush nuk do t’ua imponojë. Nuk ka asnjë arsye që të keni frikë për një proces që po e udhëhiqni së bashku me Serbinë dhe ne jemi këtu për t’u siguruar që çdo vendim të jetë i bazuar në normat, standardet dhe vlerat evropiane. Askush nuk dëshiron një republikë serbe. Ato çfarë janë dakorduar duhet të zbatohen, Asociacioni është një prej tyre”, ka thënë Lajçak.

Pas kësaj deklarate të Lajçak ka reaguar kryeministri Albin Kurti, duke shtuar që “Kosova nuk po frikësohet, por po tregohet e kujdesshme”.

‘Mesi i artë’ për asociacionin

Analisti Artan Muhaxhiri vlerëson se Kosova duhet ta ndryshoj qasjen e saj në dialog dhe duhet të bëhet proaktive, duke i ofruar alternativat e pranueshme dhe modalitetet e padëmshme.

“Këmbëngulja në vetëm një opsion – refuzimin me automatizëm të kompromiseve jofundamentale, edhe kur prej tyre mund të përfitohet politikisht e strukturalisht në aspekte tjera dhe në perspektiva më të gjera, do ta stigmatizojë shtetin tonë si pengues të ecurisë së dialogut dhe arritjes së marrëveshjes finale”, theksoi ai.

Edhe analisti Imer Mushkolaj, vlerëson se Kosova duhet ta gjejë ‘mesin e artë’ për marrëveshjen me asociacionin më mënyrë që të ecet përpara në procesin e dialogut.

“Mes ekstremit të Beogradit se duhet të themelohet asociacioni me kompetenca ekzekutive dhe ekstremit të Prishtinës se nuk do të ketë asociacion, ekziston një udhërrëfyes që e ka tregu gjykata kushtetuese sesi duhet të ndodhë një gjë e tillë. Kosova duhet me qenë e kujdesshme që të mos themeloj asgjë që do ta paralizonte funksionimin demokratik”, ka theksuar ai.

Për themelimin e asociacionit Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar dy marrëveshje, atë të vitit 2013 si dhe atë të vitit 2015.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Marrëveshja e vitit 2013 thekson se Asociacioni do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Marrëveshja e vitit 2015 parasheh që Asociacioni të ketë një kuvend si trup suprem, të përbërë nga përfaqësues të emëruar prej anëtarëve të zgjedhur nga kuvendet e komunave pjesëmarrëse.

Për këtë marrëveshje Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.