Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Cili është plani i Fadil Nurës për arsimin në Skenderaj?

Kryetari i ri i Skenderajt, Fadil Nura, ka thënë se në programin e tij për arsimin në komunën e Skenderajt është ngritja e cilësisë.

I ftuar në ‘Kallxo Përnime’, Nura tha se problemi më i madh është te çerdhet.

“Në kuadër të programit tonë për arsim, ne jemi fokusu në ngritjen e cilësisë, sepse pjesën më të madhe të objekteve janë të përfunduara. Problemi më i madh është te çerdhet, e di që kanë fillu dy të tilla, por kanë mbetur në gjysmë”, tha Nura.

Sipas Nurës, problemi i çerdheve është se kërkohet rritja e stafit, ndërsa për atë, sipas Nurës, vendos niveli qendror.

“Ne do ta vlerësojmë, para se gjithash është problem në vete, tek kategoria e rritjes së stafit, Ministria e Financave nuk lejon rritjen. Vetëm problemi i stafit është problem, përndryshe ndërtimi i objektit e marr atë përgjegjësi. Neve ne duhet komunikim me ministrinë, ajo vendos”, tha Nura.

Tutje, Nura tha se do të investojë në sallat sportive dhe se do ta heqë shkumësin prej përdorimit, pasi premtoi tabela dixhitale nëpër shkolla.