Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Cilët ministra të Kurtit u paralajmëruan për dosjen "Ferronikeli"?

Kryesuesja e bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Selvete Grajqevci Pllana, ka thënë se nuk e ka kuptuar formulën sipas të cilës ishte llogaritur renta minerare për ndërmarrjen “Ferronikeli”.

E meqë në pyetje ishin 9 milionë euro borxh që dyshohej se ndërmarrja ia kishte borxh KPMM-së, kryesuesja Grajqevci Pllana kishte vendosur për sqarime t’i drejtohej Ministrisë së Ekonomisë, e cila, sipas saj, kishte përgatitur udhëzimin administrativ për rentën minerare.

Ajo i kishte shkruar një kërkesë për sqarim Ministrisë së drejtuar nga Artane Rizvanolli, mirëpo sqarimin nuk e kishte marrë asnjëherë.

“Unë i kam shkru për shkak që kam thanë unë si juriste, kur kam bisedu me anëtaret e bordit kanë thënë 3 anëtarët që e kanë të qartë formulën, dhe unë kam shkru kam thanë që si juriste nuk po e kuptoj këtë formulë e ka mundësi me i shkru ministres” – ka thënë ajo në intervistë në “Kallxo Përnime”.

‘Hallin’ për dosjen “Ferronikeli”, kryesuesja ia kishte qarë ministres Rizvanolli edhe në takim, mirëpo e njëjta i kishte thënë që kjo është çështje e KPMM-së.

“Ajo e ka ditë, jemi taku me të, i kemi tregu, ka thënë është çështje e juaj, vendosni ju, formoni komisionin, është çështje e juaj. E ka ditë, ka qenë e njoftuar. Nuk kam marrë përgjigje” – ka thënë ajo.

Për pretendimin e kryesueses Grajqevci Pllana, KALLXO.com ka kontaktuar Ministrinë e Ekonomisë, e cila ka mohuar të ketë pranuar një kërkesë të tillë.

“Në një takim në mes të  Ministres dhe bordit të KPMM-së ku janë trajtuar çështjet e sektorit në përgjithësi, disa anëtarë të bordit të KPMM-së e kanë përmendur se ndoshta do të dërgojnë një kërkesë për interpretim ligjor, mirëpo të tjerët janë shprehur se korniza ligjore është e qartë dhe nuk ka nevojë për interpretim. Ministria e Ekonomisë nuk ka pranuar kërkesë rreth kësaj çështje” – thuhet në përgjigjen e ME-së.