Cilët janë hapat e mbetur deri në liberalizimin e vizave për Kosovën?

Marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën e miratuar dje në Komisionin përkatës të Parlamentit Evropian, shënon një hap drejt heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës.

Kjo marrëveshje ishte arritur në dhjetor të vitit të kaluar në mes të Parlamentit, Këshillit dhe Presidencës së Bashkimit Evropian.

Ky vendim ishte kompromis, sipas të cilit, liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi së bashku me funksionalizimin e sistemit ETIAS, më së voni deri më 1 janar 2024.

Pro këtij vendimi trepalësh dje votuan 48 anëtarë të Komisionit të Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, shtatë votuan kundër, ndërsa tre abstenuan.

Liberalizimi i vizave për Kosovën pas këtij miratimit duhet të kaloj edhe në dy hapa tjerë për t’u finalizuar.

Marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën, para hyrjes në fuqi do të dërgohet për votim në seancën plenare të Parlamentit Evropian, dhe më pas votimi në Këshillin e Ministrave të BE-së.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zyrtari për media në Parlamentin Evropian, Janne Ojamo ka njoftuar se votimi në Parlament pritet të ndodh deri në prill.

“Dosja do të shkojë në seancë plenare të Parlamentit Evropian për miratim përfundimtar, vlerësimi aktual është seanca plenare e dytë e marsit ose seanca e parë në prill” – thuhet në përgjigjen e Ojamo për KALLXO.com.

Ai tutje ka thënë se këto faza duhet të përfundojnë para se të funksionalizohet sistemi ETIAS, me të cilin parashihet edhe hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave.

“Votimi plenar është hapi i fundit nga ana e Parlamentit. Besoj se ka nevojë për miratim përfundimtar edhe nga ana e Këshillit (ata janë bashkë-ligjvënës). Në çdo rast, heqja e vizave do të hyjë në fuqi kur sistemi ETIAS të funksionalizohet. Pra, gjithsesi duhet të përfundojnë fazat procedurale përpara, duke e lënë sistemin ETIAS, afat real” – ka thënë ai për KALLXO.com.

Zyra e zëvendëskryeministrit për Integrim Evropian në një përgjigje për KALLXO.com kanë theksuar se hapat e radhës për liberalizimin e vizave janë votimi në Këshillin e Ministrave të BE-së dhe në seancën plenare në Parlamentin Evropian.

“Hapi radhës do të jetë përkthimi në gjuhët zyrtare dhe më pas votimi në Këshillin e Ministrave të BE-së dhe në seancën plenare në Parlamentin Evropian. Më pas do të publikohet në gazetën zyrtare dhe hyn në fuqi” – thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

Sipas këshilltar i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu procedurat pritet të përfundojnë brenda pjesës së parë të 2023-tës.

“Sipas kalendarit të trialogut mes institucioneve të BE-së, të gjitha procedurat pritet të përfundojnë brenda pjesës së parë të këtij viti”- ka thënë ai për KALLXO.com.

Lidhja e liberalizmit të vizave për Kosovën me sistemin ETIAS

ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.

Në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, të mbajtur më 13 tetor, Franca propozoj që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet pikërisht me funksionalizimin e ETIAS-it.

Deri tek kjo mbledhje kishte ardhur pas letrës të cilën presidenca çeke e BE-së ia kishte dërguar vendeve anëtare për të diskutuar për këtë temë.

Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.

Sipas këshilltarit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, dakordimi i arritur në muajin dhjetor mbi liberalizimin e vizave, parasheh që lëvizja e lirë të fillojë me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS të parashikuar në datën 1 nëntor 2023.

“Dakordimi i arritur në muajin dhjetor mbi liberalizimin e vizave, parasheh që lëvizja e lirë të fillojë me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS të parashikuar në datën 1 nëntor 2023. Nëse sistemi nuk bëhet operacional në këtë datë, atëherë lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës, starton më së largu me 1 janar 2024” – ka thënë ai për KALLXO.com.

Ai ka thënë se nuk ka kushte specifike që Kosova duhet të plotësojë për përshtatje me sistemin ETIAS.

“Nuk ka kushte shtesë apo specifike që Kosova duhet të plotësojë për përshtatje me sistemin ETIAS, meqenëse Kosova posedon pasaportat biometrike të cilat janë dhe bazë për zbatimin e këtij sistemi” – thuhet në përgjigjen e tij.

Historiku i heqjes së vizave

Komisioni Evropian nisi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012.

Në qershor 2012, Komisioni i paraqiti Kosovës një Udhërrëfyes për Liberalizimin e Vizave, i cili identifikoi legjislacionin dhe masat institucionale që Kosova duhej të miratonte dhe të zbatonte për të avancuar drejt liberalizimit të vizave.

Udhërrëfyesi përcaktonte një listë gjithëpërfshirëse të reformave, duke përfshirë ri-integrimin dhe ripranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe të migracionit, azilin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.

Komisioni ka miratuar 4 raporte për progresin e arritur nga Kosova në dialogun për vizat, si dhe ka paraqitur propozimin e tij për heqjen e kërkesave për viza për qytetarët e Kosovës më 4 maj 2016.

Propozimi u bazua në arsyetimin se deri në kohën kur propozimi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, Kosova do ta kishte ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe do të forconte arritjet e saja në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pra dy standardet përfundimtare.

Kosova arriti që pas shumë seancash me gazë lotsjellës e kundërshtime të ratifikoi marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

Mirëpo qytetarët e Kosovës, të vetmit në rajon, nuk e patën mundësinë të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës schengen.