Cilësia në arsim, paralajmërohet protestë më '7 Mars'

Më 7-mars, organizata ‘Global Shapers Prishtina’ do të organizojë një protestë për cilësi në arsim.

Protesta do të filloj në ora 11:00 tek Menza e Studentëve, më saktësisht para zyreve të SBASHK-ut, pastaj do të vazhdoj marshimi përgjatë rrugës ‘Agim Ramadani’ dhe do të përfundoj në ora 14:00 tek udhëkryqi para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

 “Kjo ditë shënohet në Kosovë si Dita e Mësuesit/es – mirëpo duke marrë parasysh problemet që i kemi në sistemin e arsimit në Kosovë, kjo ditë nuk është për festë, por për PROTESTË. Këtë vit do të shënojmë këtë datë, nëpërmjet protestës me një fletë të bardhë dhe një laps me qëllimin që të bëjmë thirrje për cilësi në arsim dhe me dy arsye kryesore”, thuhet në njoftim.

Organizata ka njoftuar se me simboliken që përfaqësojnë, këtë vit do të protestojnë me një laps dhe një letër të bardhë me dy kërkesa kryesore.

“Kërkojmë nga SBASHK dhe stafit akademik që të pranojnë të testohen, t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit. Nga Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht MASH – kërkojmë të dizajnohet dhe inicohet sa më parë -Reforma në Arsim”, thuhet më tej.

Në të gjitha trevat shqiptare, 7 marsi shënohet si Dita e Mësuesit, e cila është një ngjarje me rëndësi arsimore dhe kulturore, ku të gjithë kujtojnë mësuesit e parë të shkronjave shqipe.

Më 7-mars 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe. Mësues dhe drejtori i parë i saj ishte Pandeli Sotiri.