Cilat veprimtari në Kosovë kanë më së shumti punëtorë pa kontrata dhe nëndeklarim të pagave?

Nijazi Asllani, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), ka folur për dukurinë e punësimit joformal në Kosovë për të cilën thotë se është e shfaqur në masë të madhe.

Sipas tij, veprimtaria e shitjeve me shumicë dhe pakicë është ajo që zë vendin e parë për punëtorë të padeklaruar dhe për nëndeklarim të pagave.

“Veprimtaria e parë që ka punëtorë të padeklaruar është veprimtaria e shitjeve me shumicë ku janë tek këto dyqanet e vogla, janë biznese familjare, kurse e dyta është ndërtimtaria” – ka thënë Asllani në emisionin “Kallxo Përnime”, ku po debatohet për të drejtat e punëtorëve në Kosovë.

“Kemi dy lloje të punës së padeklaruar, atëherë kur i punësuari nuk ka fare kontratë dhe atëherë kur i punësuari ka kontratë por ka nëndeklarim, dhe këto dukuri janë të shfaqura në masë goxha të madhe në territorin e Kosovës” – ka shtuar tutje ai.

Zëvendësdrejtori i ATK-së ka thënë se ky institucion nuk ka shifra të saktësuara për shkallën e informalitetit sepse janë duke punuar për të krijuar një analizë të mirëfilltë.

Ai tutje ka thënë se falë veprimeve të ATK-së, këtë vit është rritur numri i punëtorëve që janë identifikuar si punëtor të padeklaruar.

“Falë veprimeve që i kemi bërë në terren kemi një ndryshim gjatë vitit 2022 kemi një rritje të punëtorëve që i kemi evidentuar si të padeklaruar. Nga 2 mijë e 800 që ka qenë gjatë vitit 2021 tani në vitin 2022 i kemi 3,831 që i kemi evidentuar të padeklaruar”-ka thënë ai.

Ai ka thënë se në 31 mijë vizita të ATK-së janë evidentuar rreth 854 raste më punëtor të padeklaruar, dhe janë lëshuar mbi 800 gjoba.

Asllani tutje ka folur edhe për aplikacionin e ATK-së që u mundëson punëtorëve të shohin nëse punëdhënësi i tyre i ka deklaruar apo jo.

“E kemi krijuar një aplikacion ku secili i punësuar ka mundësi të shikojë nëse është i evidentuar si punëtor. Është shumë i thjeshtë, e vendos numrin e letërnjoftimit dhe del nëse është i deklaruar apo jo” – ka thënë ai.