Cilat rrugë e shkolla do ndërtohen në Drenas?

Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, Kuvendi i  Kosovës me 63 vota pro, miratoi Buxhetin e Kosovës për vitin 2020.

Në total, buxheti i këtij viti është 2 miliardë e 357 milionë euro.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, për vitin 2020 ka paraparë investime nga buxheti qendror për Komunën e Drenasit rreth 3 milionë euro.

Ndërkaq, buxheti i Komunës së Drenasit është mbi 16 milionë euro, saktësisht 16.490.343 euro.

Qeveria Kurti ka planifikuar pothuajse 17 projekte që të investohen në këtë komunë.

Investimet në infrastrukturë dhe ambient

Nga 17 projekte në total, 7 projekte gjithsej do të financohen për në infrastrukturë dhe ambient.

Në kuadër të vazhdimit të punimeve për zgjerimin e rrugës Komoran – Drenas – Skenderaj për këtë vit janë ndarë 500,000 euro, për ndërtimin e nënkalimit në fshatin Llapushnik, Qeveria ka planifikuar shumën 52,534 euro. Për asfaltimin e rrugës Drenas-Gradicë 54,867 euro, ndërtimi i rrugës transit Drenas -Kroni i Mbretit, Drenas në vlerë 400,000 euro, ndërtimi i rrugës Gradicë-Zhilivodë në vlerë 156,496 ndërkaq për ndërtimi i rrugës së re Kroni i mbretit – Liqeni i Vasileve me gjatësi 3km do të investohen 137,528 euro.

Në anën tjetër, Qeveria në buxhetin 2020 ka planifikuar të ndajë 100,000 euro për rregullimin e shtratit të lumit në Drenica në Drenas.

Investimet në Kulturë dhe Sport

Qeveria Kurti, ka planifikuar ndërtimin e stadiumit të qytetit në Drenas, qe kap vlerën 100,000 euro. Po ashtu edhe ndërtimin e pishinës gjysmë-olimpike në vlerë 50,000 euro.

Investimet në Arsim

Në buxhetin e vitit 2020, do të ndahen 190,000 euro për shkollën e ciklit të ulët në Fushticë të Epërme.

Gjithashtu, do të bëhet ndërtimi i shkollës së mesme profesionale në Komoran, me vlerë 980,000 euro.

Investime të tjera

Afër gjysma e projekteve do të kenë fokusin në ndërtimin e lapidarëve, shtatorëve në Drenas.

Është paraparë të financohet Kulla e Heroit “Fehmi Lladrovci” Gllanasellë me vlerë 100,000 euro.

Ndërtimi i Lapidarit në Korreticë të Ulët, me vlerë 20,00 euro. Konzervimi i Shtëpisë ku është kryer Masakra në Poklek të Vjetër – Drenas me vlerë 100,000. Për shtatoren e doktor Hafir Shala do të ndahen 60,000 euro.

Ndërtimi i Lapidaret te Dëshmoreve; Ramadan, Bashkim dhe Besim Muleta në Korroticë e Epërme në vlerë prej 15,000 euro.

Ndërsa, për restaurimin e Lapidarit të Dëshmorit Abedin Bujupi do të ndahen 10,000 euro.