Foto: Facebook/OlafScholz.

Cilat plane do të zbatohen edhe pas rënies së koalicionit të Scholzit?

Partitë politike të Gjermanisë nuk kanë rënë dakord për shumë gjëra, prej se koalicioni i kancelarit Olaf Scholz u prish në Nëntor. Por, disa ligje mund të miratohen ende përpara Zgjedhjeve të parakohshme në Shkurt – analizon e shpjegon Reuters.

Dalja e Demokratëve të Lirë Neoliberalë (FDP) nga koalicioni e privoi Qeverinë e Scholzit nga shumica parlamentare dhe la në harresë dhjetëra ligje, që koalicioni kishte planifikuar t’i miratonte në kohën e mbetur.

Megjithatë, FDP-ja sinjalizoi të premten mbështetjen për miratimin e disa ligjeve, që tashmë ishin avancuar mirë gjatë procesit legjislativ dhe në të cilat Partia ishte thellësisht e përfshirë.

Scholzi do të ketë mocion votëbesimi sot dhe ai u ka kërkuar ligjvënësve që të punojnë së bashku përpara Zgjedhjeve, që pritet të mbahen më 23 shkurt për të miratuar masat ende në agjendë.

Cilat ligje mund të miratohen këtë javë?

Partitë në koalicionin e vjetër – SPD, të Gjelbrit dhe FDP – arritën një marrëveshje të premten, për të ofruar lehtësim të tatimit mbi të ardhurat e përfitime më të larta për fëmijët.

Sipas Projektligjit, marrëveshja do të rezultojë me lehtësim tatimor prej më shumë se 11 miliardë euro për 2025 dhe 2026. Pagesat e ndihmës së fëmijëve do të rriten me pesë euro- në 255 euro në muaj.

Një tjetër plan i mbijetuar i mundshëm është “Deutschlandticket”, që ofron udhëtime të pakufizuara në transportin lokal e rajonal, për një tarifë mujore fikse prej 58 euro për vitin e ardhshëm.

Ndonëse popullor me votuesit, kostoja prej 1.5 miliardë eurosh duhet të miratohet për vitin e ardhshëm. Udhëheqësi konservator, Friedrich Merz tha se do të hapte rrugën për këtë.

Masat për të forcuar Gjykatën Kushtetuese të Gjermanisë ka të ngjarë të miratohen gjithashtu me mbështetjen e tre ish-partnerëve të koalicionit dhe konservatorëve.

Gjykata mund të jetë e pambrojtur, nëse partitë populiste djathtiste e majtiste fitojnë një të tretën e vendeve në Parlament pas Zgjedhjeve. E, që do t’i lejonte ata të bllokonin emërimet e gjyqtarëve të rinj për një kohë të pacaktuar – duke çuar në ngecje të çështjeve.

Cilat ligje do të lihen anash?

Një Ligj, që do të nxiste ndërtimin e termocentraleve të gatshme për hidrogjen kur ra koalicioni, u vendos që t’u dërgohej Qeverive rajonale për konsultim. Megjithëse, kapaciteti shtesë nevojitet urgjentisht për të plotësuar energjinë e erës dhe atë diellore, ministrat nuk besojnë se ka kohë për ta kaluar atë në Parlament.

Nuk ka gjithashtu kohë për të kaluar Buxhetin e vitit 2025 – tha ministri i ri gjerman i Financave, Joerg Kukies – pas rënies së koalicionit. Megjithatë, Projektbuxheti i përgatitur nga koalicioni i vjetër përpara verës do të jetë baza për një Buxhet të përkohshëm të 2025-tës, për t’i zgjidhur gjërat. Derisa, Qeveria e re të miratojë një Buxhet përfundimtar.

Derisa Kabineti vendosi të zgjasë ngrirjen e qirasë deri në vitin 2029, Merzi njoftoi se Partia e tij nuk do ta mbështeste atë në Parlament, sepse ngrirja aktuale është e vlefshme deri në fund të vitit 2025.

Propozimi i Scholzit për të ulur normën e TVSH-së për ushqimin nga 7- në 5% konsiderohet gjithashtu se nuk ka asnjë shans për sukses, me konservatorët dhe FDP-në, të cilët kritikojnë planin si një manovër fushate zgjedhore.

Kabineti i Gjermanisë miratoi një reformë pensionesh në Shtator, por planet e Scholzit për një pension minimal të garantuar prej 48% të pagës mesatare nuk ka gjasa të marrë mbështetjen e nevojshme për të kaluar në Parlament.

Nuk ka mbështetje opozitare edhe për planet e Kancelarit për të kufizuar kostot e transmetimit të energjisë elektrike në 3 cent për kilovat orë dhe për të financuar pjesërisht kostot e rrjeteve të transmetuesve elektrikë.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com