Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Cilat operacione të zemrës mund të kryhen e cilat jo në Klinikën e Kardiokirurgjisë?

Pacientët e Kosovës shumëherë detyrohen të trokasin në dyert e spitaleve jashtë Kosovës pasi që operimet apo shërbimet që i duhen pacientit për një problem shëndetësor nuk ofrohen në spitalet e vendit.

Drejtori i Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, thotë se kur flasim për operimet jashtë vendit kemi të bëjmë me operime komplekse të zevendësuesve dhe transplant të zemrës.

Ai thotë se transplanti i zemrës në Kosovë nuk mund të bëhet as nga aspekti teknik por as në atë profesional.

“Bëhet fjalë për operacionet komplekse të zëvendësuesve të trazuesve të zemrës për transplantim të zemrës, ne këtë nuk e kemi mundësinë me kry as në aspektin teknik as në atë profesional ende nuk jemi të ngritur në atë nivel. Do të duhej që të bëhen përgatitje në këtë drejtim që të kemi mundësit teknike dhe të bëhet përgatitja profesionale”, tha Brahimaj në emisionin “Kallxo Përnime”.

Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë thotë se janë shumë gjëra komplekse të cilat ndikojnë në mosardhjen e mjekëve nga shtetet tjera për t’i avancuar qoftë teknikisht por edhe profesionalisht mjekët në Kosovë.

“Unë bëra një kërkesë për të marrë pjesë doktorët nga Brukseli në operacionet e veçanta tek ne dhe procedurat të cilët duhej të kalonin ishin shumë të komplikuara. Pra, dokumentacionet që duhej dorëzonin këtu lejën që duhet të merrnin në nivel të drejtorisë të Ministrisë së Shëndetësisë ishin shumë të tmerrshme”, tha ai.

Në anën tjetër, janë mjekët tanë të cilët janë të detyruar të marrin rrugën për shtetet tjera në mënyrë që të avancohen profesionalisht.

Brahimaj thotë se shumë më lirë për vendin tonë do të ishte nëse do të vinin mjekët tjerë tek ne dhe t’i trajtonin stafin shëndetësor se sa stafi ynë të shkonte atje.

“Shumëfish më lirë do të kushtonte me ardhë doktori këtu dhe ky ka qenë qëllimi që nga ardhja ime në këtë Klinikë. Në muajin e tretë apo të katërt  të këtij viti telefonova në ministri dhe në drejtori gjenerale dhe u thash se duhej të fillonim bashkëpunimin nga jashtë sepse kjo është e vetmja mënyrë që ata të na asistojnë deri sa ne të ngritemi ne nivelin e tyre”, rrëfen ai.

“Dhe më thanë që mund të dorëzojnë një grumbull dokumenta dhe pas kësaj ata mund të përfitojnë 10 ditë qëndrimi dhe kur ua thash kolegëve atje më thanë që nuk ia vlen të merremi me gjithë këtë dhe të qëndrojmë vetëm 10 ditë në Kosovë”, vazhdon rrëfimin drejtori.

Përderisa Brahimaj potencon se mjekët nga shtetet tjera do të vinin falas për trajnim pasi që ai thotë se janë kryesisht kardikirurgë që operojnë në shumë vende të botës falas.

Mungesa e barnave në Kardikirurgji

I pari i kësaj klinike pohon se asnjëherë nuk e kanë ndërprerë punën për shkak të mungesës së barnave, por ai potencon se ka pasur raste kur janë detyruar t’i tregojnë pacientit dhe çka duhet të blejnë dhe pastaj kanë filluar punën.

Ai thotë se sigurimi i disa pajisjeve nga Barnatorja Qendrore në QKUK është shumë i komplikuar.

“Gypa për sallë, skallper, izobretadinë dhe materialet tjera elementare. Sigurimi i tyre brenda Barnatores Qendrore të QKUK-së është shumë i komplikuar”, thekson Brahimaj.

Sa i përket trajtimit të pacientëve në spitale private, Brahimaj thotë se asnjëherë nuk ka ndodhur të referohen pacientët për në spitalin privat nëse ai shërbim mund të kryhej edhe në Kardiokirurgji.

Ai kërkon nga pacientët që në rastet kur shohin parregullsi t’i raportojnë ato.

“Duhet ta raportojnë, ekzistojnë zyra e ankesave në kuadër të ShSKUK-së pacenti nuk ka pasoja pse duhet të ketë. Duhet sanksione dhe të përgjigjet në mënyrë penale mjeku që e ka bërë një gjë të tillë”, thotë tutje.

Aktualisht në Klinikën e Kardiokirurgjisë janë gjashtë mjekë – kirurgë ndërsa 16 janë në Kardiologji Invazive në QKUK.